Topalli: Kjo është dita më e bukur e të gjithë shqiptarëve

Shqipëria

Topalli: Kjo është dita më e bukur e të gjithë shqiptarëve

Më: 7 tetor 2010 Në ora: 16:52

Parlamenti Evropian konfirmoi sot me një shumicë të cilësuar prej 538 votash heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë me vendet e Bashkimit Evropian. “Kjo është dita më e bukur e të gjithë shqiptarëve! Vota në Parlamentin Evropian është ratifikimi i të gjitha progreseve që ka arritur Shqipëria në këto vite”, kështu u shpreh sot Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila ishte e ftuar speciale në seancën e votimit të raportit të eurodeputetes Tania Fajon në PE për regjimin pa viza për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Duke vlerësuar progresin e reformave të ndërmarra në mbështetje të procesit të heqjes së vizave, Topalli tha se : “Unë ndihem me fat që kam qenë këtu dhe e ndjej për detyrë të shpreh një falënderim të veçantë për Kryeministrin Berisha, i cili ka qenë në krye të gjithë këtij procesi, në të gjitha fazat, natyrisht edhe ato më të vështira. Ndjej krenarinë se është një premtim i mbajtur dhe detyra e politikanit është për të mbajtur premtimet. Ky ratifikim ishte vlerësim i plotësimit të të gjitha kërkesave, që ishin detyrë e Kuvendit dhe e qeverisë. Në këtë aspekt ndihem shumë krenare!”.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare dhe eurodeputetëve nga 27 vendet e BE, të cilët u shpreh ajo: “i thonë sot qytetarëve shqiptarë që ju jeni si të gjithë qytetarët e tjerë dhe do lëvizni pa viza, pa qëndruar pas ambasadave dhe pa u ndjerë të frustruar”.

Gjithashtu, Topalli shprehu mirënjohjen e saj të veçantë për kontributin e jashtëzakonshëm të eurodeputetes Tania Fajon në mbështetje të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë: “Në fakt për mua Tanja Fajon është një ndër deputetet më të jashtëzakonshme, me një impenjim, përkushtim dhe një punë të fortë. Me një lobim që ajo ka bërë për ti shpjeguar çdo deputeti edhe këtu në PE se shqiptarët kanë plotësuar të gjitha kushtet”.

Vendimi pozitiv i Parlamentit Evropian është edhe kurorëzim i përpjekjeve dhe angazhimit të diplomacisë parlamentare në kuadër procesit të liberalizimit të vizave.

Menjëherë pas votimit historik nga Parlamenti Evropian për lëvizjen e lirë të shqiptarëve, në përgjigje të interesit të medieve Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli u shpreh:

“Është një moment që i sjell një gëzim të veçantë çdo familjeje shqiptare, çdo burri, gruaje, të rinjve e të rejave, çdo prindi. Është momenti në të cilin dimensioni i lirisë merr proporcione të plota sepse lëvizja e lirë është një dimension tjetër i madh i lirisë. Është një moment krenarie, një moment ku dinjiteti merr një proporcion të ri, është një moment në të cilin të gjithë ne, bashkë ndihemi krenar për sa kemi mundur që të realizojmë me reforma gjatë këtij viti pavarësisht nga vështirësitë që nga dikush janë vënë gjatë rrugës tonë, e cila ka rezultuar ashtu siç e kishim premtuar me një rezultat të jashtëzakonshëm. Ratifikim, do të thotë besim, ratifikim me 538 vota në mbështetje të opinionit të komisioneres do të thotë se Shqipëria ka realizuar çdo detyrim të saj. Ishte një votë e merituar për shqiptarët”.

Tutje në pyetjen e gazetarëve se “A ka patur më shumë pengesa nga Shqipëria apo nga Evropa për liberalizimin e vizave?”

Topalli u shprehë se “Për sa i takon Shqipërisë, komisionerja Malmstrom edhe dje për të disatën herë por edhe eurodeputetja Tania Fajon ka përsëritur fjalën good progress, pra, një progres shumë i mirë. Madje, ka vlerësuar edhe më shumë se good progress duke theksuar se Shqipëria ka bërë më shumë nga sa i kërkohej. Pra ka realizuar dhe ka plotësuar çdo kërkesë të Komisionit Evropian, çdo kërkesë të Bashkimit Evropian, ka bërë progres edhe përtej këtyre kërkesave. Ndaj dhe them se i kemi të gjitha arsyet që si shqiptarët ne të ndihemi krenar. Është një proces, në fakt i udhëhequr nga kryeministri Berisha dhe në radhë të parë është merita e tij.

Ky ka qenë viti i një angazhimi dhe i një agjende të përcaktuar të qeverisë dhe të Kuvendit në funksion të heqjes së vizave për qytetarët tanë, që ata të ndihen me dinjitet dhe të lirë si të gjithë qytetarët e tjerë. Ashtu siç është ky një moment historik që ka vlerësuar dhe ka ratifikuar të gjitha reformat dhe progreset që Shqipëria, Qeveria, Kuvendi, institucionet kanë realizuar dhe kanë bërë të mundur që sot ne të jemi dëshmitarë të një prej momenteve më të veçanta për çdo qytetar shqiptar.

Brenda dy viteve, Shqipëria arriti dy momente historike, të paimagjinueshme. E para ishte, anëtarësimi në NATO dhe sot ratifikimi nga 27 vende në Parlamentin Evropian i progresit të Shqipërisë është momenti i dytë historik për të cilin çdo shqiptar duhet të ndihet krenar. Por pa dyshim është edhe një premtim i mbajtur i kësaj mazhorance”.

Më tej në pyetjes se “Zonja Topalli ju thatë se dikush tentoi ta pengonte këtë proces, konkretisht janë njerëz në Shqipëri apo në Evropë?”

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli tha: “Jo, absolutisht në Shqipëri. Shpreh bindjen e thellë, keqardhjen më të madhe por edhe kënaqësinë më të madhe që kanë dështuar në këtë përpjekje sepse sot është një ditë e gëzueshme për çdo shqiptar. Siç e keni vënë re edhe dje një prej miqve më të ngushtë të Edi Ramës ka bërë që ky moment historik të mos bëhej i mundur. Ndaj dhe e them se sot ata e meritojnë këtë votim dhe kanë arritur një dimension të lirisë së tyre. Është një mesazh që çdo politikan duhet ta ketë në mendje dhe në shpirt, interesat e vendit janë mbi interesat e partisë. Nëse dikush në politikën shqiptare, çdo ditë ka punuar për interesin personal kundra interesave të vendit , natyrisht do të jetë historia që do ta gjykojë”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat