Kuvendi i Shqipërisë mirëpriti vendimin e PE-së

Shqipëria

Kuvendi i Shqipërisë mirëpriti vendimin e PE-së

Më: 7 tetor 2010 Në ora: 16:56

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh të enjten në seancë plenare, nën drejtimin e Zëvendëskryetarit, Ardian Turku. Heqja e vizave për Shqipërinë, refuzimi i opozitës për të votuar projektligjin për Gjykatat Administrative, çështja e ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, ishin temat kryesore që deputetët trajtuan jashtë rendit të ditës.

Në vijim, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi kërkoi ndërprerjen e seancës për të mundësuar lidhjen direkte me Parlamentin Evropian gjatë votimit për liberalizimin e vizave për Shqipërisë dhe Bosnjën, duke argumentuar se ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë.

Kuvendi përcolli drejtpërdrejt seancën plenare të Parlamentit Evropian, i cili me 538 vota pro miratoi raportin eurodeputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Përpara votimit, eurodeputetja Fajon njoftoi Parlamentin Evropian se në sallë ishte e pranishme edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Zëvendëskryetari Turku uroi të gjithë deputetët, forcat politike dhe mbi të gjitha qytetarët shqiptarët për këtë vendim historik të PE-së. “Dëshiroj gjithashtu të shpreh krenarinë për popullin shqiptar, i cili përballoi reformat e nevojshme që çuan në arritjen e këtij vendimi historik,” tha ndër të tjera Turku.

Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës, të cilat konsistojnë në pesë marrëveshje të rëndësishme ndërkufitare dhe transnacionale.

Turku njoftoi deputetët se me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike votimi i projektligjeve në fjalë shtyhet në seancën e ardhshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat