Serbia së shpejti heq vizat për Shqipërinë

Shqipëria

Serbia së shpejti heq vizat për Shqipërinë

Më: 21 tetor 2010 Në ora: 10:54

Lëvizja e lirë në rajon, e pagëzuar me emrin “Shengeni Ballkanik”, do t'u mundësojë qytetarëve të lëvizin në të gjithë vendet e rajonit vetëm me karta identiteti. Këshilli i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i ka hapur dritën jeshile shqyrtimit më 8 nëntor nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE të vendimit mbi heqjen e vizave për Shqipërinë. Kjo iu bë e ditur Ministrit të Brendshëm i Shqipërisë, Lulzim Basha nga Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian, Stefano Manservisi dhe Shefi i Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë në këtë drejtori, Luixhi Soreka. Ata u takuan dje në Bërdo të Sllovenisë, në konferencën rajonale mbi migrimin e paligjshëm, krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin. Marrëveshja për heqjen e detyrimit të pajisjes me pasaportë të qytetarëve gjatë udhëtimit në vendet e Evropës Juglindore për herë të parë ka marrë një impuls zyrtar gjatë marrjes së presidencës nga Shqipëria të iniciativës rajonale për emigracionin, azilin dhe refugjatët, ku presidenca shqiptare e ka përcaktuar këtë si prioritetin numër një të saj. Ministrat e Brendshëm garantuan përkushtimin e tyre për ta përfunduar sa më shpejt procesin e asaj që quhet “Shengeni Ballkanik”, që qytetarët e vendeve tona për të udhëtuar në vendet e njeri tjetrit të mos kenë nevojë për pasaportë biometrike, por vetëm me kartë identiteti të udhëtojnë lirshëm pa viza dhe pengesë tjetër financiare apo administrative", theksoi Basha. Në kuadër të këtij angazhimi, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq informoi ministrin Basha se Serbia do të kryejë brenda një kohe të shkurtër procedurat për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Ministri Basha zhvilloi një takim dhe me drejtorin e Përgjithshëm të EUROPOL-it, Rob Uainright, i cili u shpreh se EUROPOL do të sjellë së shpejti një mision në Shqipëri për të konkretizuar marrëveshjen Shqipëri EUROPOL. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, policia shqiptare do të ketë të njëjtin akses për informacion dhe të njëjtin nivel të shkëmbimit të informacionit në fushën operacionale, ashtu si të gjitha shërbimet policore të vendeve anëtare të BE. Gjatë qëndrimit në Slloveni, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha nënshkroi me ministren e Brendshme të Sllovenisë, Katarina Kresal protokollin e bashkëpunimit për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar në të dy vendet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat