Prefekti i Korçës, në krah të grekëve

Shqipëria

Prefekti i Korçës, në krah të grekëve

Më: 1 nëntor 2010 Në ora: 17:31

Prefekti i Korçës, Andrea Mano është ndër të paktët persona në Shqipëri që ende s’e ka mësuar se çfarë ka ndodhur me dhunimin e varreve të vjetra në fshatin Boboshticë.

Si përfaqësues i qeverisë ka në dispozicion shumë mjete dhe institucione për t’u informuar, përveç faktit që ngjarja është bërë shumë mediatike, megjithatë ai thotë se s'ka informacion.

“Nuk e kuptoj se përse sot pas 14 vitesh, një çështje hapet në mënyrë artificiale”, tha Mano.

Prefekti ka dënuar aktin e djegies së kurorave me lule dhe thotë se do punojë për të zbuluar autorët.

“Institucioni i prefektit dënon veprimet e nxitura të disa përfaqësuesve që janë anonim, të cilët dogjën disa kurora në këtë monument. Këto janë veprime të veçuara, spontane dhe kam kërkuar të hetohet se cilët janë realisht këta njerëz. Veprimet e veçuara të veprimeve të njerëzve të veçantë nuk mund të cenojnë marrëdhëniet mes dy vendeve tona”, tha Mano.

Një ditë më parë në Boboshticë u zhvilluan homazhe për nder të dy ushtarëve grekë që janë varrosur në këtë vend dhe që janë hequr prej andej shumë kohë më parë. Banorët e fshatit protestuan se ndërtimi shkallëve shkatërroi varret e vjetra të fshatit. Shkallët u ndërtuan pak ditë më parë ndërsa kryqi i madh, në vitin 1996. Gjatë ndërtimit nga përfaqësuesit e Omonia-s ne sipërfaqe dolën edhe eshtrat e varreve të vjetra, eshtra të cilat u zhduken nga vendi gjatë mbajtjes së ceremonisë.

Një pjesë e banorëve te fshatit protestuan kundër dhe pas përfundimit të ceremonisë, kurorat me lule u dogjën në shenjë proteste.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat