Berisha: Heqja e vizave, një ngjarje shumë e madhe historike që ndan epoka

Shqipëria

Berisha: Heqja e vizave, një ngjarje shumë e madhe historike që ndan epoka

Më: 8 nëntor 2010 Në ora: 12:32

Kryeministri Berisha: BE shpërbleu përpjekjet historike të shqiptarëve për liri/ Kryeministri Sali Berisha përshëndeti pak minuta më parë vendimin e ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të Bashkimit Evropian, për liberalizimin e vizave për Shqipërinë duke e cilësuar këtë vendim si mjaft historik për shqiptarët. Sipas kryeministrit, ky vendim unanim i zyrtarëve të Brukselit, plotëson ëndërrën më të bukur të të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë, në përpjepjet e tyre për liri dhe dinjitet. “Sot qeveritë e vendeve anëtare të BE-së dhanë vendimin përfundimtar që shqiptarët të lëvizin të lirë në BE. Vendimi i sotëm shënon ëndrrën më të bukur të të rinjve shqiptarë, arritjen më të madhe për lirinë dhe dinjitetin tyre pas rënies së perdes së hekurt”- u shpreh Berisha. Shefi i qeverisë tha se vendimi i ministrave të BE-së vjen si një mesazh mjaft miqësor për shqiptarët në prag të 100 vjetorit të pavarësisë. “Qytetarët shqiptarë nuk do të jenë më të ndarë nga njerëzit e tyre të afërm. Ky vendim është para së gjithash një vendim besimi ndaj këtij vendi, ndaj shqiptarëve”- tha kryeministri. Berisha vuri në dukje se vendimi i Brukseli erdhi pas reformave të ndërmarra nga qeveria dhe mazhoranca. “Shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj të gjithë shqiptarëve që kontribuan me përkushtimin e tyre në reformat e mëdha pa të cilat ky vendim nuk mund të jepej sot”- shtoi Berisha.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat