Godo: Mund të zbardhet '97-a

Shqipëria

Godo: Mund të zbardhet '97-a

Më: 30 nëntor 2010 Në ora: 09:09

Politikani dhe historiani i njohur, Sabri Godo, deklaroi se publikimi i dokumenteve sekrete për vitin e mbrapshtë 1997 janë të mirëpritura, pasi do të zbardhet një periudhë e errët.

“Për një gjë jam i bindur, që në ato ngjarje atëherë ka pasur ndërhyrje nga jashtë. Nuk ka qenë çdo gjë e kurdisur përbrenda. Askush nuk kishte mundësi t’u jepte përmasa të atilla ngjarjeve të '96-s pa një ndërhyrje dhe mbështetje nga jashtë. Si ka qenë, në ç’forma është bërë, deri ku ka shkuar, të gjitha këto mbeten për t’u parë. Gjithsesi janë ngjarje të së kaluarës që nuk duhet të kenë ndonjë ndikim të madh në zhvillimin e marrëdhënieve aktuale. Por shënimet duhen mbajtur”, parashikon Godo.

Sipas tij, nuk do të ishte ndonjë habi sikur të kishte ndonjë lloj ndikimi të Amerikës në këto ngjarje, për të mbrojtur interesat e saj në rajonin tonë.

“Mua nuk do më dukej ndonjë habi e madhe, të kishte ndonjë lloj ndikimi të tërthortë të Amerikës, kjo ka të bëjë me interesat strategjike në tërësi, por dhe me politikën që ndiqet ndaj një vendi në veçanti. Në çdo rast Amerika ka mbrojtur interesat tona. Kjo do të provokojë një debat, ku do të përfshihet e gjithë bota”, thekson Godo.

Sipas tij, në fund të fundit nxjerrja e këtyre dokumenteve sekrete është pozitive, sepse i bën qeveritë të vendosen në vështirësi për të kaluarën e tyre dhe të reflektojnë për veprimet që kanë ndërmarrë.

“Unë e shoh si gjë të dobishme, mbase qeveritë do të vihen në vështirësi, ai që nuk njeh të kaluarën është i destinuar të përsërisë gabimet”, thekson Godo, duke shtuar se transparenca e së shkuarës i shërben çdo vendi për të ardhmen e tij. Dalja e dokumenteve të tjera sekrete nga “Wikileaks” po i vendos paraprakisht në vështirësi të gjitha qeveritë e vendeve të botës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat