Diplomatët amerikanë: Berisha më i zellshëm se ç’duhej për të burgosurit e Guantanamos

Shqipëria

Diplomatët amerikanë: Berisha më i zellshëm se ç’duhej për të burgosurit e Guantanamos

Më: 30 nëntor 2010 Në ora: 17:40

Përkushtimi i shtetit shqiptar në emër të miqësisë dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara, jo pak herë e ka nxjerrë Shqipërinë si një nga aleatët më të zellshëm të SHBA-ve, dhe një nga shembujt është pranimi i strehimit në Shqipëri të 5 ujgurëve në vitin 2006 dhe të 3 të burgosurve të Guantanamos vetëm një vit më parë.

Ky mendim është shprehur nga diplomatët amerikanë dhe ka dalë në sytë e të gjithëve pikërisht si një nga publikimet tronditëse të dokumenteve sekrete që ka nxjerrë në dritë faqja e internetit Wikileaks.

Prestigjozja e njohur amerikane New Jork Times shkruan se Wikileaks ka publikuar mesazhe diplomatike ku shprehen vlerësimet e diplomatëve amerikanë lidhur me gjetjen e mundësive për strehimin e ish të burgosurve të burgut të Guantanamos.

E në këtë kontekst, bie në sy përkrahja e menjëhershme e qeverisë shqiptare për strehimin e ish të burgosurve, ndërsa shumë vende të tjera anëtare të NATO-s kishin hezituar t’i merrnin.

Diplomatët shkruanin në një prej mesazheve diplomatike të publikuara nga Wikileaks se “shqiptarët duan të bëjnë më shumë se sa duhet, vetëm e vetëm për të ndihmuar në një prej prioriteteve të politikës sonë të jashtme”.

Madje gazeta amerikane shkruan se diplomatët amerikanë e kishin quajtur një ofertë të mirë, por të ekzagjeruar ofertën e bërë nga kryeministri Sali Berisha, i cili pas strehimit të 5 ujgurëve kishte pranuar të strehonte edhe 3 të burgosur të Guantanamos, por duke theksuar që ata të mos ishin kinezë.

Por, gazeta gjermane Der Shpigel në kuadër të publikimeve të Wikileaks, thekson se ujgurët nuk u trajtuan ashtu siç duhet, apo ashtu sikundër atyre iu premtua para se të vinin në Shqipëri, se do të gjenin një strehim, punë si dhe të ndërtonin jetën.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat