Topalli: U bëj apel banorëve për evakuim sa më të shpejtë

Shqipëria

Topalli: U bëj apel banorëve për evakuim sa më të shpejtë

Më: 1 dhjetor 2010 Në ora: 17:27

“Unë, njerëzisht, i kërkoj çdo banori të zonës së NënShkodrës të largohen nga zonat e përmbytura. Ata kanë mbështetjen e ushtrisë; të shfrytëzojnë këtë mbështetje për të larguar fëmijët dhe veten. Shkalla e mobilizimit dhe e përgjegjësisë është e nivelit më të lartë”, tha Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, që në orët e para të paradites së sotme ndodhet në qarkun e Shkodrës, në zonat e përmbytura. Ajo pa nga afër gjendjen në harkun e Bërdicës, hyrjen e qytetit Shkodrës si dhe në fshatrat e prekura nga përmbytjet, mali i Jushit, Bishti i Jukës, fshati Trush etj, ku po evakuohen shumë familje dhe bagëti.

Kryetarja e Kuvendit u takua me kryetarët e komunave Dajç, Bërdicë, Ana e Malit dhe bisedoi për gjendjen e krijuar, masat për përballimin e saj dhe për evakuimin sa më parë të banorëve të këtyre komunave.

Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit u bëri apel të gjithë banorëve të zonave të përmbytura të evakuohen menjëherë, dhe i siguroi se strukturat e shtetit janë të mobilizuara dhe në gatishmëri të plotë për tejkalimin dhe normalizimin e situatës së krijuar në të gjitha këto zona.

Duke iu përgjigjur interesimit të mediave Kryetarja e Kuvendit u shpreh: “Siç jeni në dijeni si media, situata sot në Shkodër është edhe më e rënduar. Prej dy muajsh ka një shi që nuk pushon ditë e natë. Jemi në kushtet e fryrjes së liqenit të Shkodrës si asnjëherë tjetër edhe në krahasim me një vit më parë. Jemi në kushtet e çmendurive të lumenjve, që rrethojnë qytetin e Shkodrës. As një qytet tjetër, asnjë pjesë e rajonit të Ballkanit si pjesa e Shkodrës nuk është e vendosur në mënyrë të tillë, që të gjitha shkarkimet nga gjysma e Ballkanit të derdhen në këtë pjesë të basenit të Shkodrës. Këtu kam parasysh duke filluar nga lumi i Moraçës, lumi i Semit, i Përroit të Thatë, i Gjadrit, i Valbonës, lumi i Bunës, Drinit, dhe fryrja shumë e madhe e liqenit të Shkodrës.

Sigurisht që shkodranët i njohin situata të tilla, dhe janë të përgatitur sepse historia e këtij qyteti është një histori e një baseni ku shkarkohen të gjitha ujërat e Ballkanit. Duhet të përgatitemi për më tej; është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, gjë që do të thotë se shkalla e mobilizimit dhe e përgjegjësisë është e nivelit më të lartë. Siç e shikoni, këtu jemi në mbështetjen totale të të gjithë shtetit, ushtrisë, policisë.

Unë dua të falënderoj pushtetin lokal, për punën që ata bëjnë natë e ditë. Pa dyshim shkarkimet do të vazhdojnë dhe ne duhet të mbrohemi nga më e keqja. Deri tani janë të evakuara mbi 240 familje nga Velipoja, Bushati, Dajçi, nga Oboti, nga Ana e Malit. Ndërkohë janë strehuar 200 fëmijë romë, të vegjël në një kamping që është ndërtuar për ta në Rrenzë. Varkat janë në dispozicion në Obot.

Unë njerëzisht i kërkoj edhe njëherë çdo banori të zonës së NënShkodrës të largohen nga zonat e përmbytura. Janë 1900 shtëpi të rrethuara nga uji; unë i kërkoj atyre që një minutë e më parë të largohen. Ata kanë mbështetjen e ushtrisë dhe të shfrytëzojnë këtë mbështetje për të larguar fëmijët dhe veten.

Me sa duket kjo kohë do të vazhdojë, dhe ne duhet të jemi të përgatitur pasi kjo situatë e rënduar do të vazhdojë edhe për një kohë të caktuar. Kjo situatë ka ndodhur gjithmonë në Shkodër, kjo është historia jonë. Shteti është në këmbë për të mbështetur me të gjitha nevojat familjet në vështirësi, në komunat në vështirësi. Kam komunikuar me të gjithë kryetarët e komunave, që nga ai i Bushatit, Vermoshit, të Rrëzës së Malit dhe me ata të Obotit dhe të gjitha zonave që janë në vështirësi. Ata janë të gjithë non stop në punë, të gjithë drejtorët janë non stop në punë. Unë kërkoj dhe bashkëpunimin juaj, përfaqësuesve të medias për të mos krijuar panik, dhe për ta parë me ndjenjë të fortë përgjegjësie situatën.

Kemi një situatë ku lumenjtë janë çmendur, janë tërbuar. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më përpara ajo që po ndodh, kemi dy muaj pa pushim që po bie shi dhe pa pushuar rrjedhja dhe derdhja e lumenjve më të egër. Detyra jonë është për ta përballuar të gjithë bashkë. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës është duke bashkëpunuar me të gjithë kryetarët e rajoneve për të ndihmuar zonat në vështirësi”, tha Topalli.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat