Rrezikon të përmbytet edhe qendra e Shkodrës

Shqipëria

Rrezikon të përmbytet edhe qendra e Shkodrës

Më: 2 dhjetor 2010 Në ora: 08:18

Niveli i ujit ka pësuar një rritje të frikshme duke u afruar dhe në brendësi të qytetit mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Shkodrës. Krahasuar me orët e paradites, niveli i ujit është rritur në mënyrë të frikshme në lagjen “Xhabije” dhe mund te konsiderohet më i lartë se në përmbytjen e madhe që ndodhi në muajin janar, ndërkohë që vazhdon të rritet nga ora në orë.

Nga të dhënat e fundit mësohet se gjenden në ujë Bashkia e Shkodrës dhe shtatë komuna si Ana e Malit, Dajç, Velipojë, Bushat, Bërdicë, Komuna Rrethinë dhe Gur i Zi . Aktualisht kanë prezencë uji 1900 familje, numërohen 600 shtëpi të përmbytura dhe 12 mijë hektarë tokë të përmbytura, ndërkohë që janë evakuuar 300 familje.

Sipas burimeve pranë Shtabit të Emergjencës duhej të ishte bërë evakuimi i më shumë familjeve, por grupe të punës po hasin vështirësi për të bindur familjarët. Sipas tyre në Obot, Darragjat dhe Shirgj ka prezencë uji në nivelin një metër brenda shtëpive të banorëve, ku njerëzit janë të rrezikuar seriozisht.

Prania e ujit në akset që lidhin Shkodrën me Obotin, Velipojen, Dajçin, Bërdicën dhe shume komunave në zonën e Nënshkodrës është bërë shqetësuese për lëvizjen e njerëzve. Ujërat ndërkohë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në bazën ushqimore të fermerëve të Nënshkodrës për blegtorinë ndërsa banesat e tyre po pësojnë dëme të reja për të disatën herë brenda këtij viti.

Rrjedhja normale e lumit Buna është penguar nga vërshimi shtuar i ujërave të lumit Drin për shkak të shkarkimeve të mëdha që po bëhen nga portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Sa kohë këto shkarkime të vijojnë përmbytja edhe në qytetin e Shkodrës do të vijojë. Dhe ajo po bëhet edhe më problematike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat