Zgjerohet harta e përmbytjeve në Shkodër

Shqipëria

Zgjerohet harta e përmbytjeve në Shkodër

Më: 3 dhjetor 2010 Në ora: 10:09

Pas rritjes së ndjeshme të nivelit të ujit, banorët e zonës së NënShkodrës kanë lënë shtëpitë e tyre për t'u strehuar në vende më të sigurta. Që prej mbrëmjes së djeshme sipërfaqja e zonës së përmbytur është rritur në mbi 10 mijë hektarë.

Rritja e prurjeve nga lumi i Bunës por edhe tejfryrja e liqenit të Shkodrës kanë zgjeruar hartën e përmbytjes në një zonë që shtrihet nga Guri i Zi deri në Velipojë. Të dhënat nga Shtabi i Emergjencës bëjnë fjalë për 744 banesa të përmbytura, mbi 1 mijë e 500 shtëpi të rrethuara nga uji dhe 317 familje te evakuuara. Rritja e nivelit të ujit ka bllokuar tërësisht hyrjet në komunat Dajç dhe Obot, ndërkohë që janë të pakalueshme akset Shkodër - Tiranë, Shkodër - Dajç dhe Shkodër Velipojë. Problem paraqitet edhe aksi që lidh komunën e Kelmendit me fshatrat Bukël dhe Vermosh. Familjet e evokuara nga përmbytjet janë strehuar në konviktet e shkollave të mesme dhe universitetit në Shkodër.

Të parët që janë shpërngulur janë kryefamiljarët, të cilët kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve për evakuimin edhe të banorëve të tjerë. Ndërkaq niveli i ujit në Shkodër por edhe komunat përreth vazhdon të rritet, orë pas ore i favorizuar edhe nga shtimi i prurjeve të lumenjve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat