Berisha: Asnjë jetë e humbur, qëllimi ynë kryesor

Shqipëria

Berisha: Asnjë jetë e humbur, qëllimi ynë kryesor

Më: 4 dhjetor 2010 Në ora: 17:57

Gjatë mbledhjes së Shtabit të Emergjencave në Shkodër, kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin çdo kërcënim nga forcat e natyrës për të mos patur asnjë jetë të humbur.

“Situata nuk është optimiste as nëe qytete të tjera të vendit, - tha Kryeministri, - por premtoj përkushtimin e qeverise për të ndihmuar çdo person të dëmtuar”.

Kryeministri përcaktoi sërish si detyrë parësore evakuimin e banorëve, strehimin e tyre dhe furnizimin me ujë të pijshëm, ushqime dhe gjithçka tjetër të nevojshme për përballimin e kësaj situate.

Lidhur me situatën dhe ecurinë e operacioneve të evakuimi dhe furnizimit me ushqime në zonat e përmbytura, kryeministri Berisha tha se në këtë situatë të jashtëzakonshme, qytetarët e Shkodrës dhe komunave të saj, autoritetet vendore, forcat e armatosura, policia, nën drejtimin e shtabit qendror të emergjencës, të kryesuar nga zv/kryeministri Meta, kanë bërë gjatë këtyre 24 orëve të fundit përpjekje të jashtëzakonshme, për ta përballur me efiçencë këtë situatë, e cila për shkaqe natyrore vjen në rëndim.

Moti i madh që ka përfshirë mbarë Europën, ku deri mbrëmë numëroheshin mbi 62 viktima, në rajonin tonë është i shprehur me përmbytje të mëdha, në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri, Malin e Zi dhe pjesërisht në Kroaci”, vuri në dukje kryeministri.

Duke shtuar më pas se operacionet e shpëtimit kanë qenë plotësisht të suksesshme.

“Fatmirësisht, këto ndërhyrje kanë bërë që gjer tani, ne nuk kemi as edhe një jetë njerëzore të humbur, çka është edhe qëllimi më kryesor i të gjithë veprimtarisë sonë”, tha ai.

Në fund, kreu i qeverisë bëri me dije se po punohet me intensitet në të gjitha frontet, se janë shpërndarë mijëra pako ndihme dhe se janë evakuuar gjer tani rreth 4 mijë familje apo 12 mijë persona të regjistruar, ndërsa po merren masa për të garantuar shërbimin shëndetësor.

“Dua të falënderoj mediat për angazhimin e tyre në të katër anët e kësaj zone, në fatkeqësi natyrore.

Shtabi është i vendosur që me të gjithë potencialin e tij të qëndrojë mbrapa çdo qytetari, por në këtë rast, rëndësi të jashtëzakonshme ka komunikimi.

Ndaj duhet të bëjmë disponibël një seri më të madhe numrash telefoni, ku qytetarët në nevojë, mediat dhe cilido tjetër të japë apelin të bëjë thirrjen për ndihmën që i nevojitet.

Sado të përpiqemi, është absolutisht jashtë çdo mundësie reale që të imagjinohet për situatën e çdo qytetari në këtë zonë, që ka një gjerësi të madhe përmbytje”, përfundoi Berisha.

Pa harruar të theksojë se “garanton qytetarët e Shkodrës, por edhe të mbarë Shqipërisë se shteti, qeveria është e tëra e përkushtuar dhe e angazhuar që të lehtësojë e të ndajë dhimbjen dhe problematikën e krijuar nga këto fatkeqësi natyrore”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat