Berisha: Përmbytjet në Shkodër, ka një përmirësim të lehtë

Shqipëria

Berisha: Përmbytjet në Shkodër, ka një përmirësim të lehtë

Më: 7 dhjetor 2010 Në ora: 16:20

Kryeministri Sali Berisha vizitoi sërish sot Shkodrën, ku mori pjesë sot në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, që po menaxhon situatën e përmbytjeve të krijuar nga reshjet e shumta dhe prurjet e mëdha të lumenjve në qarkun e Shkodrës dhe operacionet e evakuimit, strehimit dhe ushqimit të qytetarëve në zonat e përmbytura.

Kryeministri Berisha përgëzoi të gjitha drejtuesit e strukturave të shtetit dhe punonjësit e tyre, që me përgjegjësi të lartë e përkushtim maksimal, po menaxhojnë situatën, si dhe qytetarët e zonave të përmbytura për përballimin me gjakftohtësi të kësaj fatkeqësie natyrore.

Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të Shkodrës dhe zonave të përmbytura që në këtë moment të vështirë të organizohen mbi bazë pallati, në mënyrë që të gjithë të mund të asistohen në nevojat e tyre. Sikundër u kërkoi të gjithë qytetarëve që kanë strehuar në familjet e tyre familje të evakuuara të bëjnë regjistrimin e tyren qendrat e ngritura nga bashkia, në mënyrë që t’u vihet edhe atyre në ndihmë. “Përgjegjësia qytetarë, ­- tha Kryeministri - është ajo që të detyron të mos mendosh vetëm për vete, por edhe për tjetrin, edhe për hyrjen tjetër, pallatin, rrugicën dhe qytetin”.

Kryeministri prezantoi projektet e mëdha që pritet të fillojnë në terma imediatë, por edhe në planin afatmesëm dhe afatgjatë, për t’i dhënë përgjigje përmbytjeve në qarkun e Shkodrës. “Atyre që përpiqen të krijojnë kapital politik u them më mirë, sesa të merreni me këtë që nuk i shërben absolutisht, përpiquni t’i jepni ndonjë ndihmë qytetarëve në nevojë, se kjo është detyra e parë qytetare”.

Në analizën që i bëri situatës, Kryeministri u shpreh:

“Së pari, edhe një herë dëshiroj të përshëndes dhe të përgëzoj shumë përzemërsisht qytetarët e Shkodrës, të nën Shkodrës dhe rrethinave për trajtimin me gjakftohtësi të situatës natyrore më dramatike që vendi ka përjetuar, ndofta në 150 vitet e fundit, të fatkeqësisë natyrore të përmasave më të mëdha, me të cilën Shqipëria është përballur në tërë ekzistencën e shtetit shqiptar. Fatkeqësitë natyrore kanë specifikat e tyre, por kjo fatkeqësi, e cila konsiston në përmbytje masive të territoreve të gjëra të vendit, të mbi 14 mijë hektarë dhe mbi 40 përqind të qytetit të Shkodrës, e shpërndarë në zona të ngushta, por thellësisht agresive, pothuajse në të gjitha rrethet e vendit, ishte njëkohësisht një provë madhe për të gjithë shtetin, administratën, emergjencën civile të këtij vendi.

Unë dua të falënderoj këtu të gjithë qeveritë vendore të Shkodrës, nën Shkodrës e rrethinave, por edhe të mbarë vendit, të falënderoj Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, sistemin shëndetësor, bordet e kullimit, rezervat e shtetit, emergjencën civile dhe të gjitha agjencitë që nën drejtimin e kryetarit të Komitetit Ndërministror për menaxhimin e kësaj emergjence, më e madhja në historinë e vendit, po të kemi parasysh përhapjen e saj jo vetëm në Shkodër, por edhe në zona të tjera, me përkushtim kanë bërë më të mirën e mundshme, në kuptimin, që arritëm gjer më sot pa pasur një humbje në jetë njerëzore dhe kjo nuk ka qenë e thjeshtë, po të kemi parasysh vërshimet e tërbuara të pak ditëve më parë nga liqeni, Kiri, Drini e të gjitha anët. Me vetëmohim u arrit të parandalohen përhapje që do të ishin katastrofë për Lezhën, Kurbinin, u arrit të mbrohen e sigurohen nyjet nevralgjike të furnizimit me ujë të Shkodrës, të Durrësit dhe të zonave të tjera në tërësi. U arrit gjithashtu me një përpjekje të madhe të evakuohen mbi 12 mijë qytetarë, u arrit të bëhet maksimumi i mundshëm për të qenë të pranishëm aty ku është qytetari në vështirësi për ujë, ushqime, shërbim shëndetësor. U organizua një operacion evakuimi, ndër më të suksesshmit, u organizua një operacion sistemimi ndër më të gjerët.

Në të gjithë këtë përpjekje, për të cilën edhe një herë unë dua të shpreh vlerësimin më të madh, është e pamundur që në çdo rast, për çdo problem, ne të kemi mundur të japim zgjidhje. Një ditë, duke parë mediat, një qytetar ankohej se i kishin sjellë vetëm dy bukë. Unë, duke treguar mirëkuptim për kërkesën e tij, dua ta garantoj se ka pasur qytetarë që kanë mbetur pa asnjë bukë, sepse çfarëdo që të bëhet në një situatë të tillë emergjence, me gjithë dëshirën e madhe, do ta kesh ndoshta praktikisht të pamundur të çosh bukën tek gjithsecili. U ndala në këtë moment, sepse tani një moment shumë i rëndësishëm për ne është një rrjetëzim sa më i plotë e total për furnizimin me bukë, ujë e ushqime. Por kjo kërkon një përgjegjësi qytetare më të lartë dhe Shkodrës nuk i ka munduar kurrë përgjegjësia qytetare. Unë u bëj thirrje banorëve të organizohen mbi bazë pallati, sepse është lënduese, në qoftë se ushqimin e marrin vetëm banorët e apartamenteve të kateve të para e të dyta dhe ai që ndodhet në katin e pestë të mbetet pa bukë e ujë. Ndaj thirrja imë është të ngrihemi në lartësitë e përgjegjësisë qytetare, përgjegjësia më fisnike e njeriut. Përgjegjësia qytetarë është ajo që të detyron të mos mendosh vetëm për vete, por edhe për tjetrin, edhe për hyrjen tjetër, pallatin, rrugicën dhe qytetin. Ndaj të ngrihemi në këtë lartësi dhe ne do të furnizojmë pa asnjë vështirësi çdo familje, kudo që ndodhet, me gjërat më të nevojshme. Ky organizim në nivel pallati është i domosdoshëm, për ta përmbushur të plotë detyrën, ashtu siç duhet. Ne nuk duam të mbetet as edhe një familje e vetme e braktisur. Qeveria disponon çdo gjë të nevojshme, për të ndihmuar çdo familje, por do të mund ta përmbushim këtë detyrë, në rast se do të kemi një angazhim më të plotë nga qytetarët. Për çdo pallat të krijohet një grup, i cili do të paraqesë kërkesën, sa familje kanë, sa ushqim u duhet e çdo gjë tjetër dhe ne me varka do t’ua çojmë.

Sikundër janë një numër i madh familjesh që, në traditën më të shkëlqyer shqiptare, kanë strehuar të shpërngulur, të njohur e të panjohur. Të mos mendojmë se të gjithë kanë shkuar tek farefisi e kushërinjtë e tyre. Në media po ndiqja një familje që ishte strehuar nga një familje tjetër, krejtësisht e panjohur për ta. Të zotëve të shtëpisë që kanë strehuar të shpërngulur u bëj thirrje të regjistrojnë sa persona kanë strehuar. Bashkia të hapë disa pika dhe këta në përgjegjësinë e tyre të regjistrojnë të gjithë qytetarët që strehojnë dhe ne t’i ndihmojmë një për një. Ne disponojmë çdo lloj mundësie për t’i ndihmuar, por kjo kërkon edhe një regjistrim, pasi ndihma nuk është vetëm për sot, por edhe për nesër e ditë në vazhdim. Mbi bazën e këtij regjistrimi, ne do të krijojmë qendra dhe ata të furnizohen me ushqime, shtroje e çdo gjë që kanë nevojë. Ne e kemi të domosdoshëm këtë angazhim qytetar, që, në fakt, përbën një pjesë të vogël, pasi pjesën më të madhe tashmë e kanë bërë, me bujarinë e tyre, i kanë hapur dyert e zemrën dhe i kanë strehuar. Tani të bëjnë edhe këtë veprimin tjetër, në mënyrë që ta përballojnë pa vështirësi këtë mikpritje, duke u ndihmuar nga ne.

Situata nuk them se është stacionare, por ka një përmirësim të lehtë. Cilido nga ju mund të konstatojë se problem më kryesor është liqeni, me dyfishimin e përmasave në shtratin e tij. Tek harku i Bërdicës nuk ka më ujë dhe hyrja është e lirë, çka lidhet me shkarkimet, sepse në fakt shkarkimet janë ulur, gjithsej, bashkë me prodhimin, janë 1400 m3/sekondë. Po ashtu, janë ulur ndjeshëm edhe prurjet në lumenjtë e Alpeve dhe të luginës së Drinit. Drini i Zi dhe Drini i Bardhë kanë një prurje sa gjysma e prurjeve të mëparshme. Liqeni ka një tërheqje nga Mali i Zi, sepse në këtë vend liqeni pushtoi territore që nuk i kishte përmbytur kurrë më parë, përmbyti fshatra e zona, të cilat nuk i kishte arritur ndonjëherë.

Situata e krijuar është një situatë e rëndë, por e cila po menaxhohet në sajë të një përkushtimi të madh e total të një aparati të tërë institucionesh, të angazhuar 24 orë në 24. Qeveritarë qendrorë e vendorë, ushtria, policia, shëndetësia, bordet e kullimit, rezervat e shtetit, emergjenca civile, të gjithë në unison.

Natyrisht, një fatkeqësi natyrore ciklike dhe e përsëritur kërkon një përgjigje sa imediate dhe këtë po e merr, ashtu edhe afatmesme e afatgjatë. Unë kam ndjekur me interes mendimet e specialistëve dhe i vlerësoj. Ato kanë qenë të përgjegjshme, të dobishme. Por kam ndjekur edhe spekulimet e atyre që kanë menduar se do mund të fitojnë kredibilitet politik, duke vallëzuar mbi fatkeqësinë. Por valle mbi fatkeqësinë nuk hedh kush kurrë, sepse çdo komb e njeri i qytetëruar ka një kod, që këtë nuk e pranon. Atyre që përpiqen të krijojnë kapital politik u them më mirë, sesa të merreni me këtë që nuk i shërben absolutisht, përpiquni t’i jepni ndonjë ndihmë qytetarëve në nevojë, se kjo është detyra e parë qytetare.

Kam kënaqësi t’i informoj qytetarët e Shkodrës se një seri projektesh janë në fillim pothuaj imediat. Do të ishte jo realiste në qoftë se mendohej se në harkun kohor një vjeçar, kjo qeveri do të mund t’i jepni përgjigje afatmesme e afatgjatë problemit të përmbytjes. Por dua të garantoj qytetarët e Shkodrës e mbarë Shqipërisë se kjo qeveri ka punuar me seriozitetin më të madh, për t’i dhënë përgjigje afatmesme e afatgjatë problemeve të përmbytjeve të kësaj zone. Por, natyrisht, nuk mund të them kurrë se një zonë e një mrekullie të tillë tokësore e ujore do të dalë 100 përqind jashtë rrezikut, sepse nuk ekziston kjo. Shpesh marr shembull Rhine, sepse ky lum kalon në shtetin më të fuqishëm të Europës dhe një ndër më të fuqishmit e botës. Kanë bërë investimet më kolosale dhe sërish Rhine del e përmbyt jo pak dhe kjo jo se nuk i janë bërë ndërhyrje. Brenda muajve të parë të vitit që vjen do të fillojë ndërtimi i By pass-it të Shkodrës, projekti për të cilin ka përfunduar tërësisht. Projekti i By pass-it u rishqyrtua për t’u shndërruar në argjinaturë. Ky është një projekt i kushtueshëm, faktikisht, është si të ndërtosh një urë 13 kilometra të gjatë, madje në disa aspekte edhe më i komplikuar. Projekti i By pass-it është i përfunduar. Para këtij projekti, kishte ide të tjera. Përmbytja e vjetshme ishte një mësim, nga i cili ne duhej të konkludonim për të bërë një pritë, e cila do të presë aq sa mund të presë. Sigurisht, kërkohet edhe një sistem të fuqishëm pompash për evadimin e ujërave të qytetit, pasi ato ekzistojnë pavarësisht liqenit. Por ndërtimi i By pass-it do të fillojë dhe do të jetë një ndër projektet e para që tenderohet me buxhetin e ri. Sikundër është e tenderuar dhe do të fillojë, pasi e ndërpreu moti, ndërhyrja e fuqishme në argjinaturën e Çasit. Po ashtu janë bërë e do të vazhdojnë ndërhyrjet në argjinaturat e tjera. Por sistemi i argjinaturave është një sistem që i marrë sëbashku shkon ndoshta 100 kilometra, një sistem shumë i gjatë e kompleks. Ndërhyrjet në këtë sistem janë në vazhdim. Ne do të bëjmë çdo gjë që argjinaturat të mund të marrin rezistencën dhe lartësinë e nevojshme. Sapo të biem në ujdi me Malin e Zi fillon ndërhyrja e fazës së parë në lumin Buna. Faza e parë nënkupton heqjen e pengesave më evidente, të cilat nuk janë të pakta, pasi derdhja është një problem shumë serioz, që kërkon jo vetëm thellimin e Bunës, por edhe krijimin e kanalit në det, përndryshe thellimi mbyllet e bëhet i pavlerë. Edhe sot po vazhdojnë negociatat me Malin e Zi, sepse ndërhyrjet në një basen të përbashkët ujor nuk mund të bëhen pa një ujdi të plotë të të dy palëve. Mali i Zi ka treguar gatishmëri të plotë dhe është përpjekur të kontribuojë maksimalisht me atë që ka në dorë, në lehtësimin e kësaj situate, që edhe për ta është krijuar shumë problematike. Sot, besoj përfundon një lloj ujdie për të përcaktuar fazën e parë të ndërhyrjes në Bunë, fazë, e cila do të fillojë menjëherë, si projekt emergjence. Emergjenca e shpallur nga qeveria ka 30 ditë afat, por nëse është e nevojshme, mund të zgjatet në parlament. Emergjenca është emergjencë dhe jashtë saj nuk mund të veprohet në asnjë mënyrë me ligjet e emergjencës. Me ligjet e emergjencës çdo vend e qeveri vepron vetëm në kohën e emergjencës, pasi ky është rregull dhe interesi i qytetarëve. Rregullat e emergjencës janë për emergjencë dhe jo për kohë jashtë emergjencës. Në këtë kontekst, faza e parë do të kontraktohet në përputhje me ligjin e emergjencës. Faza e dytë dhe e tretë janë investime shumë të mëdha, të cilat, së pari, duhet të bazohen në një projekt që garanton shkarkimin, por mbron plotësisht e totalisht liqenin, pasi liqeni në çdo rast është një nga pasuritë më të mëdha të këtij qyteti. E vërteta është se në memorien e Shkodrës është shumë e qartë që liqeni gjatë dekadave të fundit është rrudhur dhe një pjesë e madhe e atyre ndërtimeve janë ndërtuar në ish territorin e liqenit. Ne do të bëjmë përpjekjet tona, por, nga ana tjetër, duhet të dimë që ciklet e natyrës janë cikle të natyrës. Liqeni nuk është tërhequr që dikush të ngulet aty. Kjo është e gabuar. Ne do të bëjmë By pass-in e çdo gjë për ta mbrojtur dhe për By pass-in e theksoj ka përfunduar projekti e do të fillojë në muajt e parë të vitit që vjen, po ashtu do të bëhet edhe sistemi i pompimit dhe argjinatura e rrugës, do të jetë e veçantë, do të jetë argjinaturë autostradë.

Ndaj nuk është mirë të spekulohet. U vjen rëndë pse Berisha tha vitin e kaluar se ishte përmbytja më e madhe në 100 vjet. Por viti sivjet është pas të vjetshmit. Do të ishte normale po të kisha harruar ndonjë përmbytje para asaj të vjetshmes. Ju mund ta krahasoni se cila përmbytje është më e madhe dhe për këtë ka harta, mjafton t’i merrni në google dhe t’i matni. Them se është përmbytja më e madhe se është më e madhi, ka sipërfaqen më të madhe, prurjet e shkarkimet më të mëdha. Dhe këtë nuk e them vetëm unë. Edhe mediat vjet e deklaruan si përmbytjen më të madhe të shekullit dhe sivjet e deklarojnë si përmbytjen më të madhe të shekullit.

Edhe një herë ju përgëzoj dhe ju garantoj se asgjë nuk do t’ju mungojë zotërinj të Komitetit Ndërministror të menaxhimit të kësaj fatkeqësie natyre dhe se e gjithë qeveria dhe agjencitë e këtij vendi janë në mbështetje të qytetarëve të Shkodrës, në mbështetjen tuaj, për përmbushjen e kësaj detyre. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me gjithë aparatin e saj dhe punonjësit e kujdesit social të marrë në përgjegjësi të gjithë të sistemuarit në konvikte, si dhe të sjellin psikologë e specialistë. Ata janë njerëzit e përkujdesit më të mirë”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat