Aeroporti i Gjadrit, bazë nga nisin operacionet humanitare drejt zonave të përmbytura

Shqipëria

Aeroporti i Gjadrit, bazë nga nisin operacionet humanitare drejt zonave të përmbytura

Më: 7 dhjetor 2010 Në ora: 20:24

Prej disa ditësh, zona fushore e Nënshkodrës dhe 6 lagjet hyrëse të qytetit vazhdojnë të qëndrojnë nën ujë për shkak të përmbytjes masive nga reshjet e shumta dhe shkarkimet e detyruara nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës. 14 mijë hektarë tokë bujqësore të përmbytura së bashku me disa mijëra banesa dhe biznese private, kanë detyruar të evakuohen rreth 14 mijë banorë të këtyre zonave. Tani për tani, sipas autoriteteve të emergjencave civile, përparësi merr vazhdimi i operacioneve humanitare për evakuimin e popullatës së rrezikuar dhe shpërndarja e bukës dhe ujit të pijshëm.

Aeroporti ushtarak i Gjadrit gjendet në afërsi të zonës së përmbytur të Nënshkodrës. Në tunelet e këtij aeroporti janë depozituar ndihmat humanitare, të cilat, përmes helikopterëve, shpërndahen drejt zonave të përmbytura të Nënshkodrës si dhe në qytet.

Në këtë aeroport, përveç helikopterëve të ushtrisë shqiptare, gjenden edhe helikopterët e ardhur për ndihmë nga Greqia dhe Turqia. Komandanti i helikopterëve turq, major Gylen, thotë se ata kanë arritur në këtë aeroport në orën 5 të ditës së hënë dhe se prej këndej kanë nisur fluturimet drejt zonave të përmbytura. Majori turk tha se janë të gatshëm të marrin pjesë në çdo operacion humanitar në mbështetje të popullsisë shqiptare që gjendet në vështirësi.

Prej disa ditësh, edhe në lagjet e përmbytura brenda në qytet, po shpërndahet ujë i pijshëm dhe bukë për banorët e izoluar brenda shtëpive të tyre, Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, thotë se ky operacion është mjaft i vështirë për shkak të numrit të madh të përsonave të izoluar nga uji në një territor të gjerë, që përfshin 6 lagje të qytetit. Luka tha se gjatë ditës së djeshme janë shpërndarë ushqime dhe ujë për 360 familje dhe se ky numër doë të rritet gjatë ditës së sotme. Kryetari Luka shtoi se, ky operacion është mjaft i vështirë, sidomos për lagje të tilla si Shiroka dhe Zogajt, të cilat gjenden buzë Liqenit të Shkodrës.

Në operacionet humanitare janë përfshirë më shumë se 800 forca të ushtrisë shqiptare, ndërkohë që helikopterët ushtarakë kanë kryer më shumë se 240 misione fluturimi drejt zonës së përmbytur.

Ndërkohë që vazhdon evakuimi i popullatës nga zonat e përmbytura, autoritetet po përgatiten për një operacion më të gjerë për shpërndarjen e ushqimeve, operacion që pritet te vështirësohet me kalimin e ditëve, jo vetëm për shkak të numrit të madh të personave të larguar nga zonat më të rrezikuara, por edhe të qindra të tjerëve që nuk pranojnë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat