Shkodër: Ulet nivel i ujit në zonat e përmbytura

Shqipëria

Shkodër: Ulet nivel i ujit në zonat e përmbytura

Më: 8 dhjetor 2010 Në ora: 08:47

Niveli i ujërave në zonat e përmbytura të Nënshkodrës dhe të lagjeve hyrëse të qytetit po ulet me ngadalë, për shkak të ndërprerjes së përkohshme të reshjeve dhe pakësimit të shkarkimeve nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës, i cili gjatë ditës së djeshme shkarkonte rreth 1400 metër kub ujë në sekondë.

Por sipërfaqja e përmbytur thuajse nuk ka ndryshuar, duke mbetur në shifrën e 14 mijë hektarëve tokë bujqësore ndërkohë që 2400 banesave gjenden të përmbytura dhe 2700 të tjera të rrethuara nga uji. Drejtori i përgjithshëm i emergjencave civile, Alfred Olli, tha mbrëmë se ky përmirësim i motit po ndihmon operacionet humanitare në zonat e përmbytjes: “Kemi një situatë të përmirësuar, ka patur një ulje të nivelit të ujërave në zonën e përmbytjes. Megjithatë, situata përsëri mbetet problematike për shkak të sasisë së madhe të ujërave. Përsëri gjendja në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës mbetet problematike, sepse kemi prezencë të madhe të ujit. Nga ana tjetër, do të thoja se, problematike është situata edhe në komunën e Anës së Malit, në Berdicë, Dajç, Bushat dhe Velipojë. Ndërkohë, prioritet mbetet vazhdimi i procesit të evakuimit”.

Gjatë ditës së djeshme janë shpërndarë 8 mijë pako ushqimore dhe rreth 200 ton ujë i pijshëm për banorët e zonave të përmbytura, ndërkohë që operacioni pritet të vazhdojë me më intensitet gjatë ditës së sotme. Po ndërkohë, një pjesë e banorëve vazhdojnë të shprehin shqetësim për dëmet e shkaktuara nga përmbytja si dhe për kushtet në qendrat pritëse.

Dëmet në zonat e përmbytura tashmë janë shumë të mëdha. Përveç disa mijëra banesave dhe bizneseve private, është dëmtuar edhe infrastruktura publike si dhe një numër i madh shkollash.

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili po inspekton nga afër gjendjen e këtyre shkollave , tha se një pjesë e madhe prej tyre tashmë kanë pësuar dëme të shumta. Ai tha: “Janë 11 shkolla që janë përmbytur, disa kanë dëme më të mëdha e disa më të vogla, por do të inspektohen të gjitha shkollat në vend nga komisionet, pasi kemi mundësi t’i rehabilitojmë shpejt. Dhe, nëse moti do të mbajë kështu, mendoj se shkollat do të hapen javën që vjen”.

Prej disa ditësh, në të gjithë rrethin e Shkodrës është ndërprerë procesi mësimor dhe mjediset shkollore, së bashku me konviktet, janë vënë në dispozicion të familjeve të evakuara nga zonat e rrezikshme të përmbytjes. Gjithashtu, edhe Universiteti i Shkodrës ka ndërprerë mësimin dhe konviktet e tij janë kthyer në qendra pritëse për të evakuarit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat