Kuvendi: Rama nuk kërkoi mbajtjen e seancës, nuk paraqiti asnjë kërkesë

Shqipëria

Kuvendi: Rama nuk kërkoi mbajtjen e seancës, nuk paraqiti asnjë kërkesë

Më: 9 dhjetor 2010 Në ora: 17:43

Kuvendi i Shqipërisë ka hedhur poshtë deklaratën e bërë nga kryetari i PS-së, Edi Rama, për shtyrje të qëllimshme të seancës së Kuvendit. Në një njoftim për mediat Kuvendi sqaron se kryetari i PS-së nuk ka kërkuar mbajtjen e seancës dhe as ka dorëzuar një kërkesë ligjore për të diskutuar për përmbytjet.

“Zoti Rama siç e ka zakon edhe kësaj radhe, nuk ka sjellë në Kuvend asnjë ofertë, asnjë dokument apo shkresë, siç e parashikojnë procedurat parlamentare, në lidhje me situatën e fatkeqësisë natyrore. Për rrjedhojë, në Kuvend nuk ka asgjë për të diskutuar me këtë kërkesë të Partisë Socialiste”, thuhet në reagimin e Kuvendit.

Duke e cilësuar si spekulimin e radhës deklaratën e Ramës, njoftimi thekson se përfaqësuesit e PS-së kanë dhënë mirëkuptim për shtytjen e seancës.

“Në Konferencën e fundit të Kryetarëve, është diskutuar dhe rënë dakord paraprakisht për mundësinë e shtyrjes së Seancës së ditës së enjte për shkak të situatës së fatkeqësisë natyrore. Në këtë Konferencë ishin prezent përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët ndryshe nga Zoti Rama, dhanë mirëkuptimin e tyre për mundësinë e shtyrjes së Seancës Plenare, dhe treguan më shumë ndjeshmëri ndaj fatkeqësisë natyrore”, thuhet në njoftim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat