Berisha: Gjendja është nën kontroll

Shqipëria

Berisha: Gjendja është nën kontroll

Më: 10 dhjetor 2010 Në ora: 13:25

Për më shumë se një javë qarku i Shkodrës vazhdon të mbetet në një situatë të rënduar për shkak të vërshimeve, ndërkaq shifrat e fundit të shtabit të emergjencave flasin për mbi 14 mijë hektarë tokë nën ujë.

Niveli i ujit në zonat e përmbytura ka rënë me 50 cm, ndërsa në lagjet e qytetit, të prekura nga përmbytjet, kjo rënie e nivelit të ujit është e prekshme. Por, në komunat e Nënshkodrës, Dajc, Ana e Malit, Velipojë ku niveli i ujit arrin mbi 3 metra, rënia është e papërfillshme.

Të dhënat e fundit të Shtabit të Emergjencave flasin për më shumë se 14 mijë hektarë tokë dhe 2880 banesa të përmbytur, 4610 shtëpi nën ujë dhe mbi 14.000 persona të evakuuar.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka thënë situata është nën kontroll dhe më e favorshme.

Duke theksuar se uji ka pësuar rënie në disa komuna, Berisha nënvizoi edhe ndihmën që kanë marrë zonat e përmbytura.

“Ndihmën më të madhe e morëm nga Republika e Kosovës me 1 milion euro”, ka thënë Berisha.

Ndryshe, Komuniteti Mysliman dërgoi të enjten në Shkodër 700 paketa me ushqime me një peshë reth 8 tonë, në ndihmë të banorëve të prekur nga vështrimet.

Drejtuesi i këtij komuniteti, Selim Muça, u bëri thirrje të gjitha bizneseve, organizatave dhe institucioneve të tjera për të ndihmuar banorët e zonave të rrezikuara, ndërsa u zotua se ndihma e institucionit që ai drejton, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat