Vërshimet në Shkodër, 11.000 hektarë tokë nën ujë

Shqipëria

Vërshimet në Shkodër, 11.000 hektarë tokë nën ujë

Më: 11 dhjetor 2010 Në ora: 12:12

Ndonëse situata është drejt përmirësimit sa i përket rënies së nivelit të ujit në zonat e përmbytura në zonën e Shkodrës, shifrat e fundit të Shtabit të Emergjencave raportojnë për rreth 11 mijë hektarë tokë e përmbytur, ndërkohë që tre ditë më parë kjo sipërfaqe llogaritej 13 mijë hektarë.

Në lagjen Xhabie në hyrje të Shkodrës, ka një rënie të ndjeshme të nivelit të ujit, megjithatë në disa zona vazhdon të mbetet e domosdoshme lëvizja me barka. Niveli i ujit ka rënë rreth 20 centimetra në lagjen "Tophane", kurse në Kiras, 10 centimetra.

Hyrja e qytetit vazhdon të mbetet e përmbytur, por tashmë mund të kalohet dhe me automjete të larta. Niveli i ujit ka rënë 20 centimetra në Komunën Ana e Malit, derisa situata e përkeqësuar mbetet në Obot, Goricë dhe Gur të Zi.

Shtabi i emergjencave civile në Shkodër ka vlerësuar se situata mbetet ende emergjente.

Sipas parashikimeve të fundit, temperaturat minimale në Shkodër kanë zbritur deri në -2 gradë, ndërsa ato maksimale në 3 gradë. Moti i ftohtë dhe me temperatura të ulëta parashikohet të vazhdojë dhe gjatë javës ardhshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat