LSI e quan montazh videon Meta-Prifti

Shqipëria

LSI e quan montazh videon Meta-Prifti

Më: 12 janar 2011 Në ora: 08:55

Reagimi i parë pas videos shokuese të “Fiks Fare” në Top Channel ka ardhur nga partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).

Në një deklaratë për mediat, LSI e cilëson videon ku shfaqet zv/kryeministri, Ministri i Energjitikës dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta teksa urdhëron ish-ministrin Prifti për disa afera korruptive që lidhen me tenderat për HEC-et në vend, si një montazh.

“Është përdorur sërish Dritan Prifti, këtë radhë në një shfaqje të neveritshme realizuar përmes një montazhi të pështirë, ku në rolin e një çimke të komanduar nga Edi Rama përpëlitet në grahmat e fundit, i detyruar ta hedhë vallen sipas vijësjelljes së klaneve kriminale dhe korruptive, që me largimin e tij nga qeveria humbën instrumentin për realizimin e interesave të tyre kriminale”, thuhet në deklaratën e LSI-së.

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, shfaqje të tilla, që janë pjellë e krimit të organizuar, nuk përbëjnë asnjë shqetësim.

“Lufta pa kompromis e deri në qelizën e fundit ndaj krimit të organizuar dhe veprimtarisë mafioze e korruptive mbetet një konstante e pandryshueshme, një prioritet gjithnjë i pazëvendësueshëm, nga i cili nuk mund të na largojnë makinacionet dhe montazhet e një çimke të skaduar”, thuhet më tej në reagimin e LSI-së.

Në fund të deklaratës, LSI fton këdo që disponon prova, që në respekt të shtetit ligjor t’i drejtohen prokurorisë në mënyrë që të zbardhet e vërteta.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat