Ndalohen disa pjesëmarrës në demonstratën e opozitës në Tiranë

Shqipëria

Ndalohen disa pjesëmarrës në demonstratën e opozitës në Tiranë

Më: 22 janar 2011 Në ora: 17:43

Policia e kryeqytetit ka shoqëruar disa persona, pjesëmarrës në demonstratën e organizuar të premten në Tiranë nga opozita e bashkuar kundër qeverisë, që degjeneroi në dhunë.

Sipas policisë, pas grumbullimit para ndërtesës të Këshillit të Ministrave, grupe demonstruesish, goditën me gurë e sende të tjera të forta punonjës të policisë, të cilët ishin në krye të detyrës, në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike.

Policia nuk ka bërë të ditur numrin e personave të shoqëruar në polici, por saktësoi se kanë nisur hetimet për të zbardhur pozicionin e tyre në këtë demonstratë.

Gjatë demonstratës së dhunshme humbën jetën tre protestues, ndërkohë që mbetën të lënduar punonjës të Policisë, 17 prej të cilëve u dërguan në Spitalin Ushtarak, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia e Shtetit bëri të ditur se protestuesit shkatërruan plotësisht mbi 15 mjete dhe shkatërruan pjesërisht disa dhjetëra të tjera.

Ekspertë të prokurorisë dhe mjekësisë ligjore kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së tre protestuesve, si dhe vënien para drejtësisë të autorëve.

Policia e shtetit pritet të dalë me një deklaratë në mesditë mbi demonstratën e opozitës që degjeneroi në dhunë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat