Dëshirojmë zgjedhje të qeta, të lira e të ndershme

Diaspora

Dëshirojmë zgjedhje të qeta, të lira e të ndershme

Më: 13 nëntor 2009 Në ora: 14:37

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega e saj për SHBA, gjegjësisht Komisioni për informim, bënë thirrje për zgjedhje të qeta, të lira dhe të ndershme në Kosovë, të cilat do të mbahen më 15 nëntor. Kjo degë në deklaratën e saj i bënë me dije popullit të Kosovës se "zgjedhjet e ndershme janë obligim ndaj elektoratit të Kosovës , ndaj miqve tanë, ndaj ardhmënisë së Kosovës ." Të gjithë ata që pengojnë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, të lira , të qeta e të ndershme, nga motive të rivaliteteve ose të komplekseve grupore a partike, sikundër atyre ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur këto ditë gjatë fushatës, marrin mbi "shpatullat e tyre" një barrë të rëndë të përgjegjësisë para popullit të Kosovës.

Më tej në deklaratë thuhet : Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të organizuara nga institucionet vendore, padyshim janë sprova dhe sfida më e madhe për Kosovën. Këto zgjedhje janë njiherit edhe një rikonfirmim i sovranitetit të shtetit të ri të Kosovës, si dhe i vlerave kombëtare e demokratike, të popullit të saj, por edhe një element shumë i rëndësishëm për përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Gjatë këtyre 10 viteve të fundit, me ndihmën dhe përkrahjen e botës demokratike, me gjithë defektet e manifestuara gjatë fushatave zgjedhore, Kosova, krijoi një traditë relativisht të mirë të zgjedhjeve demokratike.

Tani, më shumë keqardhje duhet të konstatojmë, se me gjithë zotimin e marrë dhe premtimet e dhëna nga faktori vendimmarrës për zgjedhje të qeta e të ndershme , në shumë segmente, kjo fushatë nuk po e shfaq një frymë të tillë.

Dega e LDK-së për SHBA si dhe komuniteti shqiptar, me shqetësim vërejnë një varg shkeljesh, abuzimesh, dhe cënimeve të kodit zgjedhor. Fjalori denigrues, fyerjet, dezinformatat dhe shumë herë sjelljet vandaliste ndaj LDK-së, dhe kandidateve të saj, nuk përkojnë me kërkesat e elektoratit për një transparencë të pritshme, duke hedhur hije dyshimi për një ndershmëri të domosdoshme.

LDK, si parti e parë demokratike në trevat shqiptare, bart në vete filozofinë politike të liderit të saj, presidentit historik, Ibrahim Rugova. Ajo ka identitetin e vet kombëtar e politik, ka hisen e vet të madhe në historinë e sakrificave me sublime që ka bërë populli i Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vet gjatë gjithë periudhave dramatike, më të vështira dhe vendimtare të historisë së tij.

LDK, në frymën dhe traditën 20 vjeçare të saj është promotorja e vlerave më të larta kombëtare dhe demokratike perendimore, të cilat vlera, përmes kandidateve të saj, ia ofroi elektoratit të gjerë në këto zgjedhje. Kredibiliteti moral, kombëtar, aftësia profesionale, transparenca, premtimet reale, sinqeriteti dhe koshienca ndaj mundësisë dhe realitetit ekonomik, janë vetëm disa nga karakteristikat dhe afinitetet e kandidateve të LDK-së, të cilat elektorati i gjerë i vetëdijesuar i Kosovës, besojmë se do të dijë t'i çmojë më 15 nëntor.

Dega e LDK-së për SHBA kërkon nga faktori ndërkombetar dhe vendor i vëzhgimit të zgjedhjeve si dhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor, të shtojë vigjilencën, praninë, mbikëqyerjen dhe vëzhgimin sa më serioz dhe rigoroz gjatë zgjedhjeve të 15 nëntorit.

"Zgjedhjet e ndershme janë obligim ndaj elektoratit të Kosovës, ndaj miqve tanë, ndaj ardhmënisë së Kosovës, thuhet në deklaratën për shtyp, të Degës së LDK-së në SHBA.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat