Egjipt, konfirmohet dënimi me burg prej 20 vitesh për ish-presidentin Morsi

Afrika

Egjipt, konfirmohet dënimi me burg prej 20 vitesh për ish-presidentin Morsi

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 17:10
Mohamed Morsi

Një gjykatë egjiptiane të shtunën konfirmoi dënimin me burg prej 20 vitesh ndaj ish-presidentit Mohamed Morsi për dhunë, sipas një burimi të gjykatës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në prill 2015, Morsi dhe disa të pandehur të tjerë u dënuan me 20 vjet burg në lidhje me përleshjen vdekjeprurëse para pallatit presidencial Ittihadiya në Kajron lindore në vitin 2012.

Gjykata e Kasacionit, gjykata më e lartë e apelit në Egjipt, të shtunën ka refuzuar apelin e Morsit dhe të pandehurve të tjerë në gjykim dhe ka konfirmuar dënimin e dhënë, tha burimi në kushte anonime.

Edhe pse nga përleshjet u vranë 11 persona, në mesin e të cilëve edhe tetë mbështetës të Morsit, gjykimi ishte i lidhur me vdekjen e një gazetari dhe dy kundërshtarëve të Morsit.

Verdikti i të shtunës është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet, por mund të hiqet me falje të Presidentit.

Morsi është presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Egjiptit, dhe u rrëzua me grusht ushtarak në vitin 2013, që pasoi pas protestave kundër tij. Morsi si president qëndroi vetëm një vit.

Presidenti i rrëzuar u përball me dënim me vdekje dhe dënim të përjetshëm nën akuzat për përpjekje për arratisje nga burgu dhe spiunazh. Gjithashtu, po gjykohet me akuzat për fyerje të gjyqësorit.

Morsi, së bashku me të gjithë të bashkakuzuarit, pohon se akuzat janë të motivuara politikisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat