Miliona njerëz në Afrikën Lindore nën kërcënimin e urisë

Afrika

Miliona njerëz në Afrikën Lindore nën kërcënimin e urisë

Më: 9 mars 2017 Në ora: 18:03
Sudan

Kriza ushqimore, thatësirat dhe luftërat e brendshme në këtë rajon kanë bërë që të nisin vdekjet si rrjedhojë e urisë

Në rast se faktori ndërkombëtar nuk vihet në lëvizje Afrika Lindore mund të përballet me një krizë për shkak të urisë, rajon ky në të cilin aktualisht rreth 23 milionë njerëz janë përballë kërcënimit të urisë, për shkak të krizës ushqimore.

Kriza ushqimore, thatësirat dhe luftërat e brendshme në këtë rajon kanë bërë që të nisin vdekjet si rrjedhojë e urisë.

Sipas informacioneve të marra nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) rreth 23 milionë njerëz në Somali, Sudani Jugor, Etiopi, Kenia, Xhibuti, Sudan, Uganda dhe Burundi, kanë nevojë imediate për ndihma ushqimore.

Ndërkohë që shkaqet kryesore të krizës ushqimore janë thatësirat dhe luftërat e brendshme, si shkaqe të dyta nuk mund të lihen pa përmendur edhe destabiliteti ekonomik, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i çrregullt. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore vazhdon të jetë prezente për shkak të ngordhjeve të kafshëve dhe për shkak të uljes së prodhimeve bujqësore.

Gjendja në Somali është shumë e rëndë

Gjendja nga lufta e cila zgjat prej 26 vitesh në këtë vend është bërë shkak për një jetë shumë të vështirë. Ndërsa thatësirat në këtë vend të cilat arritën kulmin në vitin 2011 morën jetën e dhjetëra njerëzve dhe hapën rrugën për përshkallëzimin e krizës ushqimore.

Javën e shkuar Somali shpalli gjendjen e “fatkeqësinë kombëtare” për shkak të thatësirave dhe deri më tani thuhet se 110 persona kanë humbur jetën si rrjedhojë e urisë. OKB thotë se gjysma e popullsisë në këtë vend, rreth 6.2 milionë njerëz, kanë nevojë për ndihma ushqimore, ndërsa 2.9 milionë kanë nevojë imediate për ndihma ushqimore.

Kjo organizatë thotë se për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve në këtë vend nevojiten të paktën 450 milionë dollarë.

Skamja e prodhuar nga lufta e brendshme në Sudanin Jugor

Edhe pse është një vend me burime të shumta nën tokësore si dhe me një tokë pjellore, Sudani Jugor është duke përjetuar një krizë ushqimore për shkak të luftës së brendshme. Rreth 4.9 milionë njerëz në këtë vend kanë nevojë imediate për ndihmë.

OKB thotë se shumica e popullsisë që zakonisht merren me bujqësi kanë mbetur pa punë për shkak të luftës. Skamja këtu është e shkaktuar “krejtësisht nga njeriu” dhe si rrjedhojë në rajonin Unity të paktën 100 mijë njerëz janë duke luftuar kundër urisë.

Sudanezët të cilët nuk mundin të nxjerrin bukën e gojës në këtë vend, vazhdojnë të emigrojnë në vendet fqinje. Deri më tani të paktën 1.5 milionë njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre duke shkuar në shtetet fqinje.

Qindra shkolla të mbyllura në Etiopi

Etiopia vitet e fundit është përballë thatësirave të mëdha. Rreth 5.6 milionë njerëz në këtë vend kanë nevojë për ndihma ushqimore.

Për ti ardhur në ndihmë popullatës duhen të paktën 948 milionë dollarë, ndërsa qeveria e këtij vendi ka rritur fondet ndihmëse në rajonet me thatësira të theksuara. Muajin e shkuar janë shpërndarë tonelata ndihma ushqimore në rajonet e vendeve jugore, ndërsa në rajonin Oromo të Etiopisë janë shpërndarë 200 mijë balla me ushqim për kafshët.

Në vend aktualisht në 578 shkolla nuk zhvillohet mësimi, ndërsa të paktën 228 nxënës nuk kanë mundësi të ndjekin mësimet për shkak të thatësirave.

Ndërsa ne Kenia e cila është një nga vendet më të prekura nga thatësira, të paktën 2.7 milionë njerëz presin ndihma si pasojë e rënies së prodhimeve.

Në Burundi të paktën 1.5 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë imediate si rrjedhojë e destabilitetit ekonomik në vend, ndërsa në Sudan 3.6 milionë, në Xhibuti 200 mijë dhe në Ugandë 1.6 milionë.

Rritje rekord e çmimeve të ushqimeve

Nga ana tjetër për shkak të thatësirës në Afrikën Lindore, çmimet e ushqimeve gjatë viteve të fundit kanë pësuar rritje të lartë.

Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Bujqësisë, (FOA), çmimet e ushqimeve në Etiopi, Kenia, Somali, Sudani Jugor, Uganda dhe Tanzani kanë shënuar një rritje të jashtëzakonshme gjatë vitit të fundit.

Fushatë për ndihma nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke

Gjysmëhëna e Kuqe Turke nuk ka mbetur larg situatës së vështirë të krijuar në Afrikën Lindore. Ajo ka nisur një fushatë për mbledhjen dhe dërgimin e ndihmave në këtë rajon.

Fushata e saj është emërtuar “Bëhu shpresë për Afrikën Lindore”, shkruan aa. Ndërsa për këtë fushatë qytetarët e Turqisë mund të kontribuojnë edhe përmes një mesazhi të dërguar nga celularët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat