Zimbabve me president të ri dhe shpresa për ndryshim

Afrika

Zimbabve me president të ri dhe shpresa për ndryshim

Më: 25 nëntor 2017 Në ora: 00:07
Emmerson Mnangagwa

Emmerson Mnangagwa u bë sot presidenti i parë i ri i Zimbabves pasi disa dekadash. Një turmë e madhe njerëzish morën pjesë në ceremoninë e betimit në stadiumin kombëtar të sporteve në kryeqytetin Harare. Sipas kushtetutës së vendit, Zimbabve duhet të zhvillojë zgjedhje të rregullta vitin e ardhshëm.

Zoti Mnangagwa ishte shkarkuar më 5 nëntor nga posti i zëvendës presidentit të vendit. Ai u betua sot në detyrën e presidentit, duke i dhënë kështu fund 37 viteve të qeverisjes autoritare të Robert Mugabes.

“Do t’i përkushtohem mirëqenies së Zimbabves dhe popullit të saj. Zoti më ndihmoftë...”, u zotua Presidenti i ri.

Që nga momenti që u njoftua dorëheqja e zotit Mugabe, në kryeqytetin Harare ku opozita gjen më shumë mbështetje, u regjistruan rreth 60 mijë votues të rinj.

“Që kur u njoftua dorëheqja, pati një rigjallërim të njerëzve që kuptuan se nuk mund t’i jepet vendit një president legjitim nga ushtria, nga një individ, apo një grusht njerëzish”, thotë zyrtari i zgjedhjeve i partisë opozitare MDC-T, Islam Madhosi.

Duket se të gjithë tashmë dëshirojnë që të mbahen zgjedhjet e parashikuara në kushtetutë vitin e ardhshëm.

“Është e rëndësishme që të përmbushet kushtetuta. Pra, duhet të zhvillojmë zgjedhje”, thotë analisti politik, Elton Ziki.

Ndërkohë ndër sfidat me të cilat do të përballet Presidenti i ri është edhe rindërtimi i ekonomisë së vendit, e cila u la në gjendje të paqëndrueshme nga rreth katër dekada qeverisjeje të zotit Mugabe.

Ish-presidentit Mugabe dhe bashkëshortes së tij u është dhënë imunitet nga prokuroria.

Ushtria mori nën kontroll institucionet e vendit pasi zoti Mugabe ishte shprehur se do të caktonte presidente të vendit bashkëshorten e tij 52-vjeçare.

Presidenti i ri Mnangagwa synon të sjellë një epokë të re për Zimbabven, pa skandalet e korrupsionit dhe vrasjet e kundërshtarëve politikë, për të cilat organizatat e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Robert Mugaben./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat