Mbyllet samiti në Paris: BE mbetet e angazhuar në Ballkan

Aktuale

Mbyllet samiti në Paris: BE mbetet e angazhuar në Ballkan

Më: 4 korrik 2016 Në ora: 23:52
Liderët në Samitin e Parisit

“Do të mbajmë fjalën dhe do të vazhdojmë të punojmë për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan, ndërsa vendeve të rajonit u themi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian vazhdon”, ka thënë presidenti i Francës, Francois Hollande, në mbyllje të samitit për Ballkanin Perëndimor në Paris.

Në konferencën për gazetarë, Hollande ka thënë se shqetësimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor se si do të ndikojë te to vendimi i Britanisë së Madhe për të braktisur BE-në, kanë qenë të arsyeshme.

“Ka qenë e rëndësishme të theksohet se vendimi i Britanisë, në asnjë mënyrë, nuk do të ndikojë në angazhimin e BE-së ndaj vendeve ballkanike, në përputhje me kushtet e përcaktuara”, ka thënë Hollande.

Ai ka theksuar se BE-ja është projekt paqeje dhe se të gjitha vendet e rajonit kanë përjetuar luftën civile, nacionalizmin dhe ekstremizmin, andaj “edhe dinë të vlerësojnë paqen”.

Për të lëvizur tutje në procesin evropian, ka shtuar Hollande, është i domosdoshëm zbatimi i reformave, forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.

Në samitin në Paris, Serbia ka marrë dritën e gjelbër për vazhdimin e mëtejshëm të euro-integrimit. Komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se Kroacia ka dhënë pëlqimin për hapjen e dy kapitujve të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, gjë të cilën e ka kundërshtuar deri më tash.

Hahn po ashtu ka thënë se BE ka vendosur të sigurojë 96 milionë euro për tre projekte të infrastrukturës hekurudhore në Serbi, Shqipëri dhe Kosovë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili ka zhvilluar punimet në Paris.

Fillimisht, kryeministri Mustafa dhe pjesëmarrësit e tjerë janë pritur me nderime shtetërore nga presidenti francez François Hollande.

Në takimin qendror ku ishte i pranishëm kryeministri Mustafa, ishin prezentë edhe presidenti francez Hollande, kancelarja gjermane Merkel, kancelari austriak Kern, kryeministri italian Renzi, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë.

Kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar përkrahje për projektet konkrete zhvillimore për të cilat ka interes të përbashkët në rajon, shprehu përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim me vendet e rajonit si dhe vlerësoi rezultatet që po jep procesi i nisur në Berlin.

Të pranishëm në punimet e samitit ishin edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Gjatë ditës, kryeministri Mustafa së bashku me pesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë nënshkroi edhe marrëveshjen për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve, e cila do të ketë selinë në Tiranë.

Këtë marrëveshje, kryeministri Isa Mustafa, e vlerësoi si një impuls të duhur dhe të kohës, që do të krijojë ura të këmbimit dhe bashkëpunimit rinor.

Gjatë samitit, kryeministri Mustafa ka zhvilluar takime edhe me drejtuesit e shteteve të BE-së, përfaqësuesit e mekanizmave të Bashkimit Evropian si dhe me homologët nga vendet e rajonit.

Kryeministri Isa Mustafa ka dhënë edhe një numër të intervistave për mediat rajonale dhe evropiane.

Image
Image
Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat