Krasniqi i kundërpërgjigjet sërish Mustafës: Fundi i fundit çdo kush shkon atje ku përcaktohet vet

Aktuale

Krasniqi i kundërpërgjigjet sërish Mustafës: Fundi i fundit çdo kush shkon atje ku përcaktohet vet

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 14 korrik 2016 Në ora: 20:36
Jakup Krasniqi

Sërish i është kundërpërgjigjur kryeministrit të vendit Isa Mustafa ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Në reagimin e Krasniqit thuhet se kufijtë e Kosovës nuk do të mund t'i lëviz askush, sepse do ta mallkojnë Bjeshkët e Nemuna.

“VELIKANI I MALIT TË ZI”

Me reagimet e tij Kryeministri Mustafa vazhdon ta konfirmojë se është me gjithkënd pos me Kosovën! Ai vazhdon të kërkojë rrugë dhe mënyra për të dëshmuar se demarkacioni është në rregull. Po të angazhohej me kaq zell për të mbrojtur interesat e vendit që e përfaqëson jam shumë i sigurt që deri tani do t'i kishte gjetur provat se ky version i demarkacionit është në dëm të Kosovës. Mirëpo ky nuk është i interesuar, sepse, po të kishte qenë i interesuar t'i gjej, nuk i është dashur shumë punë por vetëm t'i thërras dhe t'i dëgjojë ekspertët të cilët deri tani i kanë dëgjuar të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë Kosovës dhe vetëm ai refuzon t'i dëgjojë, madje njërin nga ta nuk i duhet shumë për ta gjetur sepse e ka deputet të grupit parlamentar të partisë kryetar i së cilës është vet Isa Mustafa. Fjalën e kam për deputetin Shpëtim Bulliqi. Por jo, ai këtë nuk e bën, sepse është përcaktuar që historia ta kujtojë si "Velikan i Malit të zi" dhe jo si "Burrështetas i Kosovës"! Por edhe kjo është zgjedhja e tij!

Fundi i fundit çdo kush shkon atje ku përcaktohet vet. Por, në rastin konkret, kufijtë e Kosovës nuk do të mund t'i lëviz askush, sepse do ta mallkojnë Bjeshkët e Nemuna.

P. S.

Velikan Crna Gora – në shqip do të thotë, i Madhi i Malit të Zi”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Gjatë ditës, kryeministri Mustafa pati reaguar ndaj Krasniqit dhe ka thënë se ish Kryetari i Kuvendit nuk di se çfarë ka nënshkruar. /A.M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat