NATO shqyrton fuqizimin e relacioneve me Kosovën

Aktuale

NATO shqyrton fuqizimin e relacioneve me Kosovën

Më: 16 korrik 2016 Në ora: 14:06
Samiti i NATO-s

Krerët e Shteteve dhe të Qeverive anëtare të Aleancës Veriatlantike (NATO) në Samitin e Varshavës kanë bërë të ditur se deri në takimin ministeral të dhjetorit do të vendosin për fuqizimin e raporteve me Kosovën.

Kjo ka pasuar letrën që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka dërguar sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku ka kërkuar fuqizimin e bashkëpunimit më NATO-n.

Ky qëndrim është bërë i ditur në komunikatën zyrtare të lëshuar pas takimit të Këshillit të Atlantikut Verior, ku ishin të pranishëm udhëheqësit e 28 shteteve anëtare, përfshirë edhe presidentin amerikan Barack Obama.

Në komunikatën zyrtare, ndër të tjera, theksohet se NATO është në dijeni të kërkesës për të fuqizuar marrëdhëniet me NATO-n dhe se përgjigjja do të jepet jo më vonë se në Ministerialin e Jashtëm të Dhjetorit.

“Ne jemi në dijeni të kërkesës së Kosovës për të fuqizuar marrëdhëniet me NATO­n dhe do t’i përgjigjemi jo më vonë se në Ministerialin e Jashtëm të Dhjetorit për mënyrat e zhvillimit të përkrahjes sonë të mëtejme”, thuhet në komunikatë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, kryeministri Isa Mustafa i ka dërguar letër më 19 nëntor 2015, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku ka kërkuar fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe Kosovës.

Në këtë letër, ndër të tjera, kryeministri Mustafa ka propozuar që Kosova të vendos dialog të rregullt politik me NATO-n në nivelet më të larta politike dhe institucionale, hapjen e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Selinë e NATO-s në Bruksel si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në programet e ndryshme të NATO-s.

Në komunikatën e Samitit të Varshavës, po ashtu, mirëpriten aspiratat e Kosovës për avancimin e aftësive për të ofruar siguri për të gjithë banorët e saj dhe për të kontribuuar për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë paraqitjeve të fundit mediale, kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, përveç liberalizimit të vizave, ka rëndësi të madhe edhe për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës si dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat