Debati për Demarkacionin, hap i vonuar

Aktuale

Debati për Demarkacionin, hap i vonuar

Nga: Mimozë Lakna Më: 18 korrik 2016 Në ora: 12:11
Ilustrim

Debati për çështjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e zi, që do të mbahet më datën 3 gusht, po vlerësohet si i vonuar nga njohësit e rrethanave politike në vend.

Faton Abdullahu, këshilltari politik i Kryeministrit Isa Mustafa, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se si Qeveri besojnë fuqishëm që e vërteta është ofruar dhe është dëshmuar shumanshëm, ndërsa ka shtuar se ajo që kanë paraqitur deri tash, do ta justifikoj votimin ‘për’ këtë projektligj në Kuvend.

“Edhe në këtë periudhë të cilën ne si Qeveri nuk po e anashkalojmë, argumentet dhe gjetjet tona do të vazhdojnë të plasohen deri tek qytetari dhe të gjithë të tjerët të interesuar me qëllim që të mënjanohen paqartësitë e krijuara. Të gjithë ata që me qëllime degraduese, me gjysmë të vërteta dhe trillime, kanë ndjell hutin dhe paqartësinë rreth demarkacionit, qysh tani nuk janë të prirë së paku të dëgjojnë argumentet dhe duket sheshazi janë refuzues ndaj fakteve. Por ne besojmë fuqishëm që e vërteta e ofruar dhe e dëshmuar shumanshëm nga ana e jonë do të jetë ajo që do ta justifikoj votimin ‘për’ këtë projektligj në Kuvend, sepse si i tillë është në të mirë të interesit nacional të Kosovës, integritetit të saj territorial dhe kualitetit të jetës së qytetarit”, ka thënë Abdullahu.

Për analistin Faik Krasniqi, Demarkacioni nuk guxon të ratifikohet në Kuvend, pa u qartësuar nëse Kosova po humbë territor.

Andaj, sipas Krasniqit, këtë debat Qeveria e Kosovës është dashur ta bëjë që nga fillimi, në mënyrë që të hiqet çdo dilemë rreth kësaj çështje të ndjeshme.

 “Demarkacioni nuk guxon të dërgohet për ratifikim në Kuvend, pa u qartësuar mirë se me këtë marrëveshje Kosova humb apo nuk humb territor. Prandaj, duhet të ketë një debat gjithëpërfshirës për demarkacionin mes ekspertëve, komisionit për shënimin e vijës kufitare, analistëve dhe shoqërisë civile. Këtë debat Qeveria e Kosovës është dashur ta bëjë që nga fillimi, në mënyrë që të hiqet çdo dilemë rreth kësaj çështje të ndjeshme. Sepse moslejimi i debatit ka ngritur shumë dyshime rreth kësaj çështje. Por, edhe që Qeveria dhe opozita mos ta shfrytëzojnë çështjen e Demarkacionit për çështje politike, sepse duke u fokusuar vetëm në dy marrëveshjet e fundit, sikur janë harruar problemet e shumta prej të cilave po vuajnë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

Nga ana tjetër, sipas analistit Krasniqi, Kryeministri Mustafa nuk është treguar i mençur për t`i shmangur zgjedhjet, pasi moslejimi i një debati rreth Demarkacionit dhe këmbëngulja që domosdo të ratifikohet në Kuvend, mund t'i irritojë deputetët që të votojnë kundër.

”Kadri Veseli mund të ketë qëllime për ta dërguar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, por Isa Mustafa nuk është duke u treguar i mençur për t'i shmangur zgjedhjet, sepse moslejimi i një debati rreth Demarkacionit dhe këmbëngulja që domosdo të ratifikohet në Kuvend, mund t'i irritojë deputetët që të votojnë kundër, të cilët kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës se akoma nuk e kanë prezantuar para tyre marrëveshjen për të cilën pa votën e tyre nuk do të mund të ratifikohet. Kështu që topi ngelet tek Isa Mustafa dhe lejimi i një debati do të mund t'i shmang zgjedhjet. Në të kundërtën, zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të jenë të pashmangshme”, ka potencuar ai.

Ndërkaq, ndryshe mendon analisti Skënder Zogaj, sipas të cilit, është folur aq shumë rreth demarkacionit sa që nuk ka mbetur që të thuhet asgjë në një tryezë të re.

“Populli e ka thënë, kur nuk ke punë të mençme, luaje derën! Me gjasë, një pjesë e liderëve politikë të vendit duke mos mundur të merren me punët e duhura, po u dorëzohen inercive sporadike, duke shprehur gatishmëri për angazhime anësore sa për të thënë se po merren me diçka. I këtillë tashmë është synimi i organizimit të një tryeze për të debatuar rreth demarkacionit, që do të ishte si "kofini pas të vjelave" sepse për ata që kanë sy me pa dhe mendje me gjykua, e kanë të qartë çështjen e demarkacionit. E kam fjalën për të dy palët, ata që janë pro ratifikimit të marrëveshjes dhe për ata që janë kundër, sepse, që të gjitha palët i kanë thënë e stërthënë të gjitha dhe, nuk ka mbetur asgjë që do të mund të thuhej në një tryezë te re”, ka nënvizuar Zogaj.

Sipas Zogajt, nëse dikush mendon se çështja e demarkacionit duhet të vazhdojë të jetë frymëzim për veprime aventure në realizimin e ambicieve politike, është gabim i madh sepse tashmë është e plotësisht e çartë nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Kërkesën e kryetarit të Kuvendit unë dua ta mirëkuptoj, duke e konsideruar tentim për ftohjen e gjakrave dhe të një shansi të ri për konsensus politik rreth demarkacionit, që, ky problem, në planin ndërkombëtar të mos vazhdojë ta mbajë peng Kosovën. Nëse dikush mendon se çështja e demarkacionit duhet të vazhdojë të jetë frymëzim për veprime aventure në realizimin e ambicieve politike, është gabim i madh sepse, tashmë është e plotësisht e çartë nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme”, ka theksuar ai.

Kështu, sipas analistit Zogaj, çdo taktizim në këtë drejtim është lojë boshe dhe se Demarkacioni duhet të kuptohet si detyre konkrete dhe faktori politik kosovar duhet t'ia jap zgjidhjen më të mirë të mundshme dhe të pranueshme për miqtë dhe armiqtë e Kosovës.

“Ata qe angazhohen në këtë drejtim, nuk ka dyshim se, në zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të shpërblyerit nga qytetarët e Kosovës që, janë stërlodhur nga stuhitë demagogjike”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat