Nuk ka devijim nga rruga Rugoviane

Aktuale

Nuk ka devijim nga rruga Rugoviane

Nga: Mimozë Lakna Më: 18 korrik 2016 Në ora: 17:00
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani

“Brenda LDK-së, gjithmonë edhe prej kohës së Presidentit të ndjerë, Rugova edhe deri sot ka mundësi të shprehet mendimi ndryshe dhe të thuhet ajo që e mendon anëtari i LDK-së, që nuk është e njëjtë me mendimin e kryesisë ose të liderit. Natyrisht, që edhe kohët e fundit ka pasur mendime ndryshe rreth proceseve politike në vend dhe rreth koalicionit me partinë tjetër në koalicion, ose rreth menaxhimit të situatave politike. Por, krejt kanë qenë brenda asaj që mund të quhet demokraci e brendshme dhe si e tillë mund të trajohet. Unë nuk shoh ndonjë devijim nga ajo që quhet LDK dhe rrugë Rugoviane. Natyrisht që LDK-ja është një diçka shumë më e madhe se emrat e përveçëm që lakohen sot”, ka thënë ministri Imet Rrahmani.

“Bota sot”: Specializantët vazhdojnë të ankohen për pagesat e kujdestarive, sa po arrini që t`i mbuloni shpenzimet lidhur me këtë?

Imet Rrahmani: Kjo është një çështje, e cila na ka marr shumë kohë, dhe të cilës po i kushtojmë shumë interes. E para, që mund të them është se ne kemi arritur që ta stabilizojmë këtë fushë brenda mundësive. Në fillim kemi nxjerrë një udhëzim që nuk lejon ndërrimin e specializimeve pa kushte, sepse ka ndodhur disa herë, që disa e kanë ndërruar specializimin në proces të specializimit. Kjo mundësi e ndërrimit ka bërë, që të kemi mungesa të mëdha të profileve të caktuara të mjekëve dhe në anën tjetër, të kemi grumbullim të profileve të tjera. Mandej kemi analizuar profilet e të gjitha kontratave të specializantëve në Ministrinë e Shëndetësisë. Kemi pasur në fillim diku rreth 30 specializantë të cilët më 2014 e kanë fituar të drejtën e specializimit dhe kanë pasur të drejtë në pagë. Ka qenë numri 67, 37 i kanë sistemuar në paga, ndërsa 30 ose janë paguar në bazë të performancës ose kanë mbetur pa u paguar derisa është krijuar mundësia për t`i futur në pagë. Kemi pasur parasysh, që këtë grup ta sistemojmë në paga të rregullta sepse kanë pasur të drejtë ligjore. Në anën tjetër,subvencionimi i një numri kaq të madh të specializantëve përmes të ashtuquajturës pagesë nga performanca është konsideruar si jo shumë i ligjshëm. Ne e kufizuam atë numër me diplomimin e specializantëve, ua kemi ndërprerë subvencionimin. Por, po ashtu me vërejte të Auditorit të Përgjithshëm, ne ju kemi përgjigjur atyre vërejtjeve dhe kemi suspenduar nga ai subvencionim një numër të konsiderueshëm të specializantëve të cilët ankohen shpesh. Në aspektin njerëzorë, ndoshta kanë të drejtë por duke u bazuar në kontratat e tyre, auditori ka pasur të drejtë kur e ka bërë atë vërejtje dhe e kemi zbatuar. Kemi mbi 350 specializantë që janë të kategorisë B dhe ata sot e asaj dite, kur e kanë nënshkruar kontratën me Ministrinë e Shëndetësisë, pa ndonjë obligim të Ministrisë për t`i kompensuar vazhdojnë të punojnë pa pagesë. Shpeshherë janë ankuar, dy herë ose tre i kam takuar edhe unë dhe mund të them, që mungesat buxhetore janë të tilla, që nuk është e mundshme të bëhet lëvizje për pagesën e tyre. Unë e di që atyre nuk ju pëlqen kjo, por vullneti është që sot të fillohet të paguhen, por për 350 është një numër i madh kur dihet se ata kanë kontrata pa kompensim. Është një problematike tjetër, që është ngritur kohën e fundit pas lëvizjes së buxhetit nga SHSKUK-ja në Ministrinë e Shëndetësisë, që konsideroj se padrejtësisht është bërë problematikë, ku u patën ndërprerë pagesat e specializantëve për kujdestari. Unë me kabinetin tim, kemi analizuar se cila do të jetë zgjidhja më e mirë për ta dhe duke i analizuar edhe kontratat edhe ligjet edhe mundësitë buxhetore, obligimi që kanë ata ndaj Ministrisë së Shëndetësisë si mësimnxënës dhe jo punëtorë, kemi marrë vendimin që t`iu paguhen dy kujdestari të rregullta, përkatësisht e hënë e enjte. Paguhet çdo kujdestari festave dhe fundjavave,  nëse SHSKUK-ja vendosë t`ua paguaj. Një lajm i mirë është, se javën që shkoi na ka ardhur konfirmimi që Kolegji Mbretëror i mjekëve të përgjithshëm të Britanisë së Madhe, ka vazhduar programin specialistit të Mjekësisë Familjare edhe për tre vite të tjera. Këtu duhet të them, se do ta kemi një kuotë për shtetas të Shqipërisë, për të cilët do të kemi mirëkuptimin e ndarjes së mundësisë së specializimit por jo edhe ndonjë obligim material, çka do të jetë më ndryshe, për një kuotë që do të jetë 4-5 vende për qytetarët e Luginës së Preshevës, të cilët për shkak të rrethanave politike do të kemi mirësinë që t`i mbështesim edhe materialisht    

“Bota sot”: Sa është duke u realizuar fondi për shërim jashtë vendit, pasi shpesh herë është hedhur mjegull lidhur me ndarjen e mjeteve?

Imet Rrahmani: Ky është fondi, i cili e bën ministrin dhe stafin civil dhe politik, që të jenë më të kujdesshëm që ta shpërndajnë shumë drejtë, sepse kemi të bëjmë me raste, të pacientëve që nuk mund të trajtohen brenda institucioneve publike. Meqenëse popullata jonë jeton në kushte jo shumë të mira ekonomike dhe këto shërbime shpesh marrin shifra duke filluar nga pak mijëra euro deri në qindra mijëra euro, atëherë ne duhet të kemi kujdes që këtë fond ta shfrytëzojmë në mënyrë të drejtë. Pikërisht,  për këtë është nxjerr udhëzimi i ri administrativ me të cilin, kemi menduar të krijojmë lehtësira në zgjedhjen ose përzgjedhjen si duhet subvencionuar këto shërbime, dhe natyrisht edhe për t`i ikur ndjekjes ligjore siç ka ndodhur me rastin e mëhershëm. Ka shumë kërkesa dhe natyrisht të të  gjithave nuk po mund t`iu përgjigjemi, me kohë të shpejt sepse disa edhe nuk mund të kompletojnë dokumentacionin me kohë, për disa nuk është gjetur spitali adekuat ku duhet shërohen, disa individëve ua lejon ligji që të zgjedhin, se në cilin vend duan të shkojnë për shërim dhe bordi për shërim jashtë vendit duhet t`i marrë të gjitha këto parasysh dhe të marr vendim. Shpresojmë që me rishikimin e buxhetit të marrim edhe buxhet shtesë, sepse 6 milion euro ku,r kanë qenë që nga fillimi i vitit nuk do të  na mjaftojnë. Është fjala për sëmundje, si probleme me kardiologji, tek fëmijët me leukemi, për urgjenca të ndryshme si oftalmologjike, trajtime të urgjencave të ndryshme të pacientëve me invaliditet qoftë proteza qoftë operacione të ndryshme që duhet të ndërmerren. Me këtë rast duhet falënderuar edhe shteti italian dhe të tjerët e sidomos Republikën e Turqisë, e cila çdo vit na i merr së paku 100 pacientë për t`u trajtuar falas dhe ne kemi veç obligim t`i orientojmë ata dhe të shkojmë në Turqi dhe t`i trajtojmë. Por, duhet falënderuar edhe ekipe të ndryshme që vinë për të dhënë kontributin e tyre. Kemi “Gift Of Life”, e cila është një organizatë, e cila përzgjedhë dhe kontrollon pacientë fëmijë, që kanë nevojë për kardiologji dhe kardiokirurgji. Kjo është bërë rutinë që disa vite, duke iu falënderuar edhe profesor Mazllum Belegut dhe të tjerëve.  Kanë ardhur edhe ekipe nga Turqia, që kanë operuar shumë operacione. Shumë shpejt,  ishte profesori australian, Paddy Dewan. Ky kirurg qe 5-6 vite operon pacientë me operacione të komplikuara, disa edhe riintervenime, dhe që thënë të drejtën nga vlera monetare, nuk mund të vlerësohet drejt se sa është kontributi. Në përgjithësi po mundohemi që qytetarëve t`iu ofrojmë shërbime, qoftë në Kosovë, qoftë përmes buxhetit për trajtim jashtë vendit nëpër spitale të ndryshme. Shumë fëmijë i çojmë edhe në Itali, ku kemi një bashkëpunim me OJQ –të ndryshme, që përkujdesen për fëmijët e familjarët e tyre, që i dërgojmë atje për shërim, dhe kjo krejt e krijon një kompleks të mirë bashkëpunimi me Ambasadën Italiane. Kemi bashkëpunim të mirë edhe me Shqipërinë. Qytetarët tonë shkojnë në institucionet publike në Shqipëri dhe marrin shërbime pa pagesë, sikurse edhe qytetarët e veriut të Shqipërisë që kërkojnë ndihmë në Gjakovë e Prizren. 

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Martën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat