Reforma në Drejtësi, ku ndahen Basha dhe Rama për draftin

Aktuale

Reforma në Drejtësi, ku ndahen Basha dhe Rama për draftin

Më: 19 korrik 2016 Në ora: 08:51
Edi Rama e Lulzim Basha

Partia Demokratike ka shprehur kundërshtitë  e veta lidhur me draftin hibrid amerikan, ofruar nga Ndihmës sekretarja e Shtetit, Victoria Nuland. Ajo këmbëngul në propozimin e saj për pikën e shumëdebatuar të Vetingut.

Më poshtë mund të shihni se ku ndahen Basha dhe Rama për draftin e Reformës.

PROPOZIMI HIBRID I NULAND

Avokati i Popullit shpall vakancat për anëtarët e komisioneve të vlerësimit (vetingut) të
gjyqtarëve dhe prokurorëve bashkë me kriteret që duhet të plotësojnë.

Kandidaturat u dërgohen anëtarëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit SHBA-BE, të cilët duhet të bëjnë seleksionimin e tyre. Seleksionimi bëhet mbi bazën e analizës së etikës profesionale, kontrollit të figurës së kandidatit dhe kontrollit të pasurisë.

Ata kandidatë që e kalojnë pozitivisht këtë testim të operacionit ndërkombëtar, i kalojnë
për seleksionim komisionit parlamentar ad hoc.

Komisioni parlamentar përbëhet nga 12 anëtarë, gjashtë nga maxhoranca dhe gjashtë
nga opozita.

Secili nga anëtarët zgjedh një kandidat nga lista e propozuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

PROPOZIMI I PD-SË PËR VETINGUN

Avokati i Popullit shpall thirrjen për paraqitjen e aplikimeve për 3 (tre) kategori pozicionesh në strukturat e vetingut: a) komisionerët, b) komisionerët publikë dhe c) gjyqtarët e Dhomës së Apelit.

-Lista i dërgohet Kuvendit bashkë me dokumentacionin e dorëzuar të çdo kandidati.

-Ky proces zhvillohet me monitorim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

-Kuvendi krijon dy komisione ad hoc, një me 12 anëtarë dhe një me 6 anëtarë (në të dyja rastet përbërja është 50%-50%).

-Komisioni me 6 anëtarë shqyrton kandidatët dhe verifikon përmbushjen e kritereve të shpallura për kandidim. Çdo kandidat vlerësohet individualisht mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur.

-Në fund të procesit të seleksionimit do të dalin 3 (tri) lista: (a) lista me kandidatët për komisionerë, b) lista me kandidatët për komisionerë publikë dhe c) lista me kandidatët për gjyqtarë;

-Vëzhguesit nga ONM kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar te çdo dokumentacion që administron komisioni.

-Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëve nga komisioni ad hoc, ONM ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumenteve dhe provave të administruara nga komisioni.

-Kandidatët e përjashtuar nga komisioni ad hoc kanë të drejtë të ankohen ndaj vendimeve administrative të komisionit ad hoc sipas hapit 3, në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni me 12 anëtarë

-Komisionerët e KPK: Ky komision do të zgjedhë 12 komisionerët e Komisionit të Kualifikimit. Zgjedhja do të bëhet pa debat, përmes një votimi të fshehtë elektronik, ku secili anëtar i komisionit voton për 1 kandidat.

Po ky Komision do të zgjedhë edhe 2 komisionerët publikë (përsëri pa debat dhe përmes një votimi të fshehtë elektronik). 2 kandidatët që marrin më shumë vota do të quhen fitues.

Komisioni me 6 anëtarë

-6 gjyqtarë të Dhomës së Apelit: Ky komision do të zgjedhë në fillim 6 nga 7 gjyqtarët e Dhomës së Apelit. Edhe në këtë rast zgjedhja do të bëhet pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik, ku secili anëtar i komisionit voton për 1 kandidat.

Kuvendi mund të pranojë ose rrëzojë listën e kandidatëve në bllok me një shumicë të cilësuar (2/3). Pra, nuk është e mundur të pranojë ose rrëzojë vetëm një pjesë të listës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat