Reforma zgjedhore peng i partive politike

Aktuale

Reforma zgjedhore peng i partive politike

Nga: Diana Bunjaku Më: 19 korrik 2016 Në ora: 15:13
Ilustrim

Kosova që nga paslufta, ka ngecur prapa sa i përket demokratizimit të shoqërisë dhe jetës institucionale. Duke folur rreth reformës zgjedhorë dhe subjekteve politike në Kosovë, analisti politik Rrok Berisha ka thënë se, reforma zgjedhore ishte dhe mbetet peng i dy subjekteve politike që tash janë në pozitë PDK-LDK. Ai ka thënë se komisioni për përgatitjen e reformës zgjedhore që ishte dikur dhe i cili një vit e më shumë kishte punuar kinse në krijimin e Ligjit të ri zgjedhorë dhe të harmonizimit të ligjit e Kushtetutës, nuk u finalizua, për shkak se partive politike nuk u konvente një ligj i ri zgjedhor. “Kosova është një zonë zgjedhore-dhe subjektet politike thithin vota nga e gjithë Kosova e diaspore dhe këto vota të gjitha kontrollohen nga Liderët e grupet e tyre kriminale, të cilët në mënyrë të fshehtë vendosin për fatin e njerëzve në listë. Ky ligj zgjedhor ndër mangësitë më të mëdha ka votimin për parti dhe për individ, e kjo jo vetëm për një por për pesë kandidat të një subjekti politik. Kjo mundëson që në një vend me një njësi zgjedhore, subjekteve politike të kenë mundësi që jo vetëm të lobojnë por të zgjedhin grupe të caktuara të milituarve e njerëzve të dëgjueshëm-servil. Ngase lideri, me stafin e tij të ngushtë u imponon degëve e anëtarësisë duke ua dërgua listën e kandidateve të cilët lideri mendon se duhet votuar”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, parlamenti grumbullon njerëz jo meritor, të pa aftë jo profesionist, njerëz që nuk e kanë përkrahjen e as votën e bazës, që s’janë të zgjedhur nga qytetarët e as nuk përfaqësohet në mënyrë të barabartë e adekuate trevat e Kosovës.

“Ligjin e ri zgjedhor duhet ta caktojnë mirë e qartë edhe pragun zgjedhor për partitë e vogla, ngase vota prej 5% është shumë e madhe. Në këtë kuotë është bërë një automatizëm që të hedhë apo lënë jashtë parlamentit partitë e "vogla" të pastrimit të disa partive mjaft të suksesshme para luftës”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, mos kalimi i pragut të këtyre partive të vogla, u jep mundësinë që të vidhen votat e këtyre subjekteve apo të orientohen ne një subjekte tjetër. “Komisioni i atëhershëm për hartimin e Ligjit të ri zgjedhore, kishte edhe një detyrë, hartimin e ligjit rreth zgjedhjes së Presidentit të Kosovës nga vota e drejtpërdrejtë qytetarëve dhe ky ligj dështoi”, ka thënë Berisha.

Maloku: Kosova ka nevojë për respektimin e gjendjes aktual zgjedhore

Ndryshe Albinot Maloku analist politik ka thënë se për tema të ndjeshme të cilat domosdoshmërish krijojnë dy tabore me ‘po’ ose ‘jo’, të reformës zgjedhore në rastin konkret, mes pozitës dhe opozitës, krijohen probleme. Ai ka thënë se problem tjetër është edhe mos respektimi nga palët të cilat pajtohen paraprakisht, por nëse nuk ju konvenon, ato temën e konvertojnë në gjendje ‘jetë a’ vdekje’ për popullin e shtetin.

“Aktualisht Kosova nuk ka nevojë për reformë zgjedhore më shumë sesa respektimin e gjendjes aktual zgjedhore, kurse ajo çka është kërkuar disa herë tek reforma zgjedhore, ka qenë zgjedhja e presidentit nga populli e që kjo është domosdoshmëri. Gjithsesi, mes pozitës dhe opozitës në Kosovë, si gjithandej tek shqiptarët, temat për nga rëndësia nuk kanë asnjë vlerë, po preken interesat e tyre”, ka thënë Maloku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat