Selimi e quan joligjor vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij

Aktuale

Selimi e quan joligjor vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij

Më: 22 korrik 2016 Në ora: 11:46
Petrit Selimi

Një vendim i Qeverisë i marrë në mbledhjen e sotme, i pamundëson zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi të mbajë postin e koordinatorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit.

E kjo vjen pasi që Qeveria miratoi projekt rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për strukturën organizative të zyrës së kryeministrit, e cila është  e lidhur dhe me pozitën e koordinatorit të korporatës së sfidave të Mileniumit, në bazë të së cilës koordinatori i ardhshëm i Sfidave të Mijëvjeçarit, do të jetë nga stafi civil.

Kryeministri Isa Mustafa tha se koordinatori do të jetë nga stafi civil, jo nga ai politik.

Mustafa: Koordinatori nga stafi civil jo politik

“Kjo është e lidhur dhe me pozitën e koordinatorit të Korporatës së sfidave të Mileniumit, për të cilin në media ka pasur shkrime se ka konflikt interesi që koordinatori të ketë dhe pozitë politike dhe të kryejë punën e koordinatorit. Ne në Qeveri e kemi pasur në këtë formë që tani e propozoi zv/kryeministri. Ka qenë në këtë formë. Pastaj për shkak dhe të insistimit të partnerëve tanë, ne patëm shkuar dhe e patëm ndërruar vendimin dhe e bëmë që mund të jetë një bartës i pozitës politike, përkatësisht një zëvendësministër, i cili mund ta bëjë dhe atë punë. Por vërejtjet janë nga Agjencioni Antikorrupison se këto dy pozita kanë konflikte të interesit dhe nuk mund të zhvillohen nga i njëjti person. Dhe me këtë tani ne po e shndërrojmë këtë pozitë, në pozitë profesionale dhe shërbyesit civil, pastaj dhe emërimi të shkojë me procedura të shërbimit civil”, tha ai.

E Petrit Selimi, i cili gjendet në pushim, i kontaktuar nga KosovaPress është shprehur i revoltuar me vendimin qeveritar duke e quajtur te panevojshëm, të paarsyeshëm dhe joligjor.

"Stafi i Zyrës se Kryeministrit e ka ditur që pozita e përzgjedhur ka qenë ajo e koordinatorit nacional. Për këtë qëllim, ditë më parë edhe kam ofruar me shkrim dorëheqjen nga posti i zëvendësministrit. Për hir të korrektësisë, Zyra e Kryeministrit së paku do të duhej të më kontaktonte sa jam ne pushim për të me treguar paraprakisht për ketë vendim. Jam i bindur se kryeministri në mungesë të informacioneve ka marrë ketë vendim dhe po ashtu jam i sigurt se vendimi i sotëm do të anulohet", ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat