Mustafa mirëpret njohjen e re, fton subjektet politike t`i lënë anash agjendat partiake

Aktuale

Mustafa mirëpret njohjen e re, fton subjektet politike t`i lënë anash agjendat partiake

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 22 korrik 2016 Në ora: 16:28
Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka mirëpritur lajmin për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Republika e Surinames.

Mustafa ka thënë se ky vendim i dha një mbështetje të fuqishme shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si dhe konfirmoi legjitimitetin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran.

Po ashtu, Mustafa i ka bërë ftesë partive politike që të lenë anash agjendat partiake dhe të jenë pjesë e proceseve që forcojnë sovranitetin e shtetit, i hapin udhë liberalizmit të vizave dhe proceseve tjera integruese si dhe krijojnë mundësi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Të dashur miq,

Sapo mora lajmin që Republika e Kosovës sot është njohur nga Republika e Surinames.

Ky lajm i mirë, vjen pikërisht në ditën kur Kosova shënon gjashtë vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit, shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Ky vendim i dha një mbështetje të fuqishme shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si dhe konfirmoi legjitimitetin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran.

Republika e Kosovës tashmë është njohur nga 112 shtete të botës.

Me përkushtimin maksimal të qytetarëve dhe institucioneve të saj, si dhe me përkrahjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë në krye me SHBA-të, Kosova po bën hapa të mëdhenj në zhvillimin ekonomik, në proceset integruese euroatlantike dhe në fuqizimin e shtetit ligjor.

E ardhmja e Kosovës është anëtarësia në Kombet e Bashkuara, në NATO dhe në gjirin e familjes evropiane.

Andaj, ftoj të gjitha subjektet politike që të lenë anash agjendat partiake dhe të jenë pjesë e proceseve që forcojnë sovranitetin e shtetit, i hapin udhë liberalizmit të vizave dhe proceseve tjera integruese si dhe krijojnë mundësi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka shkruar Kryeministri Mustafa në Facebook./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat