Thaçi: Sulmi në Munih ka prekur zemrat tona dhe ndërgjegjën e Evropës

Aktuale

Thaçi: Sulmi në Munih ka prekur zemrat tona dhe ndërgjegjën e Evropës

Më: 24 korrik 2016 Në ora: 10:02
Hashim Thaçi

Vendimi i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të shpallur ditën e sotme ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave të sulmit të djeshëm në Mynih, ku në mesin e viktimave janë edhe shtetas të Kosovës, dhe në solidarizim me popullin gjerman, ka bërë jehonë në medie të shumta ndërkombëtare.

Agjencia gjermane e lajmeve “DPA” raporton se “në përgjigje të masakrës në Mynih, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur të dielën ditë zie në Kosovë”.

Sipas dekretit presidencial, njofton DPA, ky vendim vjen si një shprehje e dhembshurisë për tre viktimat shtetas të Kosovës dhe si shenjë solidariteti me Gjermaninë.

Javorja gjermane “Die Zeit” shkruan se një ditë pas të shtënave të tërbuara në Mynih, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur ditë zie në mbarë vendin. Në mesin e nëntë të vdekurve, tre janë me prejardhje nga Kosova, njofton Die Zeit.

Gazeta e citon presidentin Thaçi, i cili ka thënë se viktimat nga Kosova janë heronj të luftës për liri dhe vlerat e përbashkëta evropiane dhe se sulmi në Mynih ka “ka prekur zemrat tona dhe ndërgjegjën e Evropës”.

Në mesin e medieve të shumta gjermane që kanë raportuar për vendimin e presidentit Thaçi për të shpallur ditën e sotme ditë zie në mbarë vendin janë edhe e përditshmja “Die Welt”, gazeta “Bild”, televizioni gjerman “NTV”, e kështu me radhë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat