Ceremoni përkujtimore për Enver Zymberin

Aktuale

Ceremoni përkujtimore për Enver Zymberin

Më: 26 korrik 2016 Në ora: 07:44
Foto arkiv

Policia e Kosovës sot organizon një ceremoni përkujtimore me rastin e pesë vjetorit të rënies së heroit të Kosovës, policit Enver Zymberi.

Sipas një njoftimi nga Policia, ceremonia përkujtimore do të fillojë nga ora 10:00, ku në shenjë nderimi ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shpend Maxhuni, do të vendosin kurora me lule tek lapidari i heroit që gjendet në  kompleksin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.

Hyseni dhe Maxhuni do të bëjnë homazhe edhe tek varri i policit të vrarë në fshatin Dubovc të Vushtrrisë ku pastaj do të bëjnë një vizitë tek familja Zymberi në Vushtrri.

Polici Enver Zymberi është vrarë gjatë aksionit të Policisë në veri të vendit më 25 korrik të vitit 2011.

Deri më tani askush nuk është dënuar për vrasjen e heroit ndërsa për vrasjen e tij akuzohen gjashtë serbë.

Pas rënies polici Enver Zymeri është dekoruar me urdhrin hero i Kosovës nga ish presidentja Atifete Jahjaga ndërsa  një rrugë në kryeqytet ka marrë emrin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat