Më 29 gusht afati për bachelor, master dhe doktoratë në UP

Aktuale

Më 29 gusht afati për bachelor, master dhe doktoratë në UP

Më: 28 korrik 2016 Në ora: 10:56
Ilustrim

Universiteti i Prishtinës më datën 29 gusht pritet të shpallë konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj në të tri nivelet e studimit, bachelor, master dhe doktoratë.

Prorektori për marrëdhënie me jashtë në UP, Afrim Hoti, ka thënë se në fund të gushtit do të shpallet konkursi për regjistrimin e studentëve në nivelin bachelor, për drejtimet ku kanë mbetur vende të lira.

Hoti: Konkursi shpallet më 29 gusht

“Me datën 29 gusht të hapet konkursi i dytë, do të thotë që do të jetë një konkurs që përcjell dinamikën e provimit të maturës, të gjeneratës së dytë të maturës që do të jetë i hapur në shtator dhe në këtë kohë do të procedojmë me afatin e dytë me studimet bachelor, me afatin e parë në studimet master dhe në afatin e parë për studimet e doktoratës”, ka deklaruar ai.
Hoti ka shtuar se nuk ka ndonjë shifër të caktuar se sa është numri i vendeve të lira në nivelin bachelor që kanë mbetur nga afati i parë i konkursit.

Sipas tij, në fakultete të ndryshme ka drejtime të caktuara ku ka vende të lira për afatin e dytë por ka edhe drejtime, ku konkurrenca ka qenë shumë e madhe dhe ët gjitha vendet janë plotësuar qysh në afatin e parë.

Hoti: Në fakultete të caktuara kemi drejtime të caktuara ku ka vende të lira

“Nuk kemi një fakultet të tërë ku ka vende të lira por se kjo është e shpërndarë në disa njësi akademike, varësisht nga programet shembull: në Fakultetin e Shkencave Natyrore, pastaj në Fakultetin Ekonomik, në Fakultet Teknik. Po ashtu, kemi programe të caktuara, ndërkohë që jo në të gjitha sepse në disa programe është përmbyll bile ka pas konkurrencë të jashtëzakonshme, në programe të caktuara ka vende të lira”, ka deklaruar ai.

Afati i parë i konkursit për regjistrimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ishte shpallur më 8 korrik, ku ishin shpallur mbi 8 mijë vende të lira në të gjitha njësitë akademike.

Të regjistruarit në vitin e parë në UP edhe këtë vit do të kenë mundësi ta regjistrojnë vitin e parë pa pagesë sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat