Çfarë do të ndodhë pas 3 gushtit?

Aktuale

Çfarë do të ndodhë pas 3 gushtit?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 28 korrik 2016 Në ora: 16:11
ilustrim

Demarkacioni, çështja që trazoi politikën

Nëse  kryesia e Kuvendit vendos që seanca parlamentare për çështjen e Demarkacionit të mbahet më 3 gusht, atëherë të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë. Sipas tyre opozita duhet të reagojë me gjuhën e dialogut, si armën më të fortë që e posedon, e assesi përmes formave të dhunshme, meqë tek askush nuk mund të imponohet mendimi në Demokraci

 Ende  nuk dihet nëse Kryesia e Kuvendit do të vendosë, që të mbahet seancë parlamentare, pas 3 gushtit për çështjen e Demarkacionit, meqë është kohë pushimesh. Por, një gjë që dihet e sigurtë, është se Kosova mund  humbasë mundësitë e ofruara për integrime evropiane.  Në këto rrethana, analistët politikë vlerësojnë, se nëse kryesia e Kuvendit vendos që seanca parlamentare për çështjen e Demarkacionit të mbahet më 3 gusht, atëherë të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë.

Sipas tyre opozita duhet të reagojë me gjuhën e dialogut, si armën më të fortë që e posedon, e assesi përmes formave të dhunshme, meqë tek askush nuk mund të imponohet mendimi në Demokraci.

  Berisha shenjëstron VV –në ?

  Zafir Berisha deputet nga Nisma, ndërsa indirekt ka shenjëstruar VV –në, ka thënë,  se në mbledhjen ku trajtohet kjo çështje sigurisht, se do të marrin pjesë, sepse kjo është kauzë e tyre  dhe jo dhuna, pasi sipas tij, nuk e kanë  përdorur deri më tani, dhe se të njëjtën rruge do të ndjekin dhe  në të ardhmen.

“ Jo rastësisht në gjitha raportet ndërkombëtare por edhe gjatë vizitave të zyrtarëve të lartë perëndimorë flitet për luftimin kundër krimit të organizuar dhe depolitizimin e institucioneve të pavarura që tej mase janë të politizuara”, ka thënë deputeti  Berisha.  Edhe deputeti i VV Rexhep Selimi pa dashur të japë më shumë sqarime ka thënë se "VV-je do të marrë pjesë patjetër në këtë takim". Ndërsa, Arbër Gashi njohës i çështjeve politike ka thënë, se caktimi i seancës plenare për çështjen e demarkacionit mund të sjellë një situatë të re të tendosjeve politike në Republikën e Kosovës. Ai ka thënë, se shumica e deputetëve ndodhen në pushimet vjetore dhe për këtë arsye nuk mund ta themi me saktësi se Kuvendi do të mblidhet me datën 3 gusht. “ Por, pavarësisht pushimeve, çështje e demarkacionit, kurdo që të vihet në rend dite, do të vendosë për fatin e mëtutjeshëm të koalicionit aktual dhe për rrugën që do të ndjekë Kosova në procesin e integrimeve euro-atlantike”, ka thënë Gashi.

Mos ratifikimi i Demarkacionit, shtyn liberalizimit e vizave

Albrim Badallaj analist politik ka thënë, se nëse kryesia e Kuvendit vendos që seanca parlamentare për çështjen e demarkacionit të mbahet më 3 gusht, atëherë të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë. Ai ka thënë, se vetëm kësisoj mund të tregojnë se janë përfaqësues të popullit, pasi populli i ka zgjedhur ata që të jenë pjesë e Kuvendit në çfarëdo rrethana qofshin.  “Këtu mund të ketë tendenca që për shkak se është sezone pushimesh, të jenë prezent sa më pak deputetë që e kundërshtojnë çështjen e Demarkacionit, ashtu siç është e definuar aktualisht nga Komisioni. Mirëpo shtrohet pyetja se çfarë zhvillimesh do të ketë ajo seancë?  Nëse,  se do të ketë vetëm debat, atëherë kjo është një tregues që partitë mazhorative kanë reflektuar dhe po e pranojnë rishikimin e çështjes në fjalë, por nëse tentohet që po atë ditë të votohet ratifikimi i Demarkacionit, kjo është një gjë që tregon se ata nuk po e dëgjojnë zërin dhe interesat e popullit, duke u munduar që qytetarët e papërgatitur për një veprim të tillë kapriçoz ti nxjerrin para aktit të kryer”, ka thënë Badallaj.  Sipas tij, ajo formë nuk do të jetë legjitimitet i Demarkacionit, meqë populli ka në dorë forma tjera kundërshtuese.  “Unë pres që shumë deputetë nga mazhoranca të mos kenë ndryshuar qëndrimet apo të mos jenë "shitur" për votimin e çështjes në fjalë, meqë të tillët nuk dihet se si do i njeh historia. Në të njëjtën kohë opozita, duhet të reagojë me gjuhën e dialogut, si armën më të fortë që e posedon, e assesi përmes formave të dhunshme, meqë tek askush nuk mund të imponohet mendimin në Demokraci”, ka thënë Badallaj. Sipas të njëjtit, kundërshtimin e këtij procesi të padrejtë si në aspektin shkencore edhe në atë politik, mund ta shpreh në forma demokratike vetëm populli. “Kosova tek rasti i Demarkacionit gjendet në mes të dy zjarreve, për shkak të ndjeshmërisë së procesit. E para ka të bëjë me atë që edhe po të ratifikohet Demarkacioni në Kuvend, Kosova e ka para vetes një sfidë edhe më të madhe si eliminimi i korrupsionit, që mund të merr një kohë më të gjatë. Së bashku me të, ne e dimë që ratifikimi i Demarkacionit, i definuar sipas komisionit, mund të nxis tensione të reja në vend duke e destabilizuar situatën, e kësisoj Kosovës do i'u shtyhet edhe për një kohë procesi i liberalizimit”, ka thënë Badallaj. Sipas të njëjtit, mos ratifikimi i Demarkacionit, nga ana tjetër, mund që të nxjerrë ndonjë kriter tjetër politik, i cili po ashtu do e shtyej procesin e liberalizimit të vizave.  “Është edhe mundësia e tretë që Kosova ta ratifikojë Demarkacionin dhe të përcillet me heshtje nga populli, dhe të përfitoj liberalizimin, por në të njëjtën kohë të humb mijëra hektar tokë. Edhe po që se Kosovës do iu shtyhet ky proces, s'është se populli do humb edhe aq. Më shumë se Kosovës që i duhet ky proces, edhe Europa ka nevojë që të fus në gjirin e saj shtetet e ish-bllokut, meqë do ndikonte në rritjen e euroskepticizmit, marrë parasysh edhe problemet e brendshme që po shfaqe në bashkësinë europaine”, ka thënë Badallaj.

Demarkacioni në arbitrazh?

Ndërkaq, Nexhmedin Mustafa politolog ka thënë ,se çështje e demarkacionit dhe ratifikimi i marrëveshjes mes dy shteteve, Kosovës e Malit të Zi që po tentohet nga ekzekutivi i Republikës së Kosovës që të përmbyllet edhe me votim në kuvend, tanimë po bëhet “mollë sherri”  edhe mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës.  Ai ka thënë, se një situatë e tillë e krijuar hapë rrugë që çështja të dërgohet në arbitrazh për shqyrtim.  “Natyrisht, do të ishte mirë që Prishtina zyrtare dhe Podgorica, të pajtoheshin në këtë pikë, pra që çështja të shkojë në arbitrazh, mirëpo edhe nëse kjo nuk arrihet si pajtim mes dy palëve, atëherë Kosova njëanshëm mund ta bëjë këtë.  Në të vërtet, BE-ja as që do të duhej t’i vente kusht Kosovës ratifikimin e marrëveshjes në kuvend, në këmbim të lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, përkatësisht - liberalizimin e vizave. Kjo nuk ka ndodhur me vendet e tjera të cilat kanë pas probleme të natyrës së njëjtë, siç është rasti me Sllovenisë e Kroacisë, dy shtete anëtare sot të Bashkimit Evropian e që edhe sot e kësaj dite përballen me probleme të ngjashme”, ka thënë Mustafa. Sipas tij, ky kusht i vënë nga BE-ja është absurd dhe tregon jo seriozitet nga ana e saj, njëherit duket qartë se nuk ka vullnet të mjaftueshëm nga BE-ja që Kosovës dhe qytetarëve të saj ti heqin vizat, së paku tani për tani. “Kosovës nuk i leverdis që vendin ta mbajë në tensione të vazhdueshme politike, e që si pasojë, muajt e kaluar u shpërfaqën pakënaqësi qytetare dhe eskalim të situatës deri në protesta të dhunshme. Situata të tilla nuk do i konvenonin as BE-së, nëse vërtet kjo e fundit ka synim real dhe të qartë integrimin e Ballkanit Perëndimore në gjirin e saj. Diplomacia në Kosovë, duhet të angazhohet dhe të punojë ngushtë me faktorë kyç në Bashkimin Evropian, nëse dërgimi në Arbitrazh i çështjes së demarkacionit do të rrezikonte liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës”, ka thënë Mustafa. Sipas tij, situata politike e krijuar në Republikën e Kosovës, pakënaqësitë dhe dilemat e ngritura jo vetëm nga opozita Kosovare rreth demarkacionit me Malin e Zi, në anën tjetër presioni ndërkombëtar i vazhdueshëm për ta ratifikuar marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës, është një pasqyrë reale dhe e qartë se sa e brishtë është situata politike në vend.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të premtën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat