Thaçi me shërbimin sekret e ndau Mitrovicën në dy pjesë

Aktuale

Thaçi me shërbimin sekret e ndau Mitrovicën në dy pjesë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 28 korrik 2016 Në ora: 16:26
ilustrim

Veriu i Kosovës, ende peng në duar e bandave

“Hashim Thaçi që llogaritet edhe si Presidenti i konspiracionit, mashtrimeve dhe konflikteve brenda shqiptare që nuk i takon të  vizitojë veriun, jo pse rrezikohet nga serbët, aleatët e tij të veriut, pasi atje do të pritej si hero serb. Pasi pikërisht ky President ishte fajtori kryesor së bashku me shefat e tij pranë shërbimit sekret francez dhe KFOR-in francez, janë ata që ndanë veriun e Mitrovicës nga Kosova autoktone dhe do të ishte mirë të ndaleh me kaq, por ky President i ‘joni’ fali dhe shiti toka edhe Maqedonisë, Serbisë, tani Malit të Zi dhe prapë do t’ju jep toka tjera mijëra hektarë pa llogaritur veriun si dhuratë serbëve”,  ka thënë, Naim Miftari

Presidenti i vendit Hashim Thaçi edhe kur ishte në pozitat e tjera udhëheqëse nuk e kishte në agjendën e tij një vizitë në veriun e Mitrovicës. E as tani si President duket se nuk e ka ndërmend të vizitoj këtë pjesë të Kosovës. Përveçse nuka ka vizuar pjesën veriore, Thaçi ka lënë në harresë dhe pjesën tjetër të Mitrovicës, që udhëhiqet nga shqiptarët.  “Deri më tani, ne si Komunë e Mitrovicës nuk kemi pasur ndonjë lajmërim apo njoftim që Presidenti aktual  i Republikës së  Kosovës, z. Hashim Thaçi do të na vizitojë, ndërsa sa i përket pjesës veriore, dihet që ne nuk kemi kompetencë dhe njoftime për atë pjesë”, ka thënë zëdhënësja e komunës së Mitrovicës, Blerina Kastrati. Qyteti i Mitrovicës është ndarë në dy pjesë në qershor të vitit 1999.  Thaçi ka qenë pjesë e bisedimeve me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, përfshirë edhe çështjen me veriun e vendit. Por pavarësisht kësaj qyteti i Mitrovicës vazhdon të mbetet i ndarë, në veri dhe jug.

Izolimi i veriut

Por analistët politikë dhe njohësit e çështjeve aktuale në vend shohin si një hap gati të pamundur të Presidentit aktual, Hashim Thaçi vizitën e tij në veri.  Kështu analisti dhe njohësi i çështjeve politike Faik Krasniqi thotë, se edhe pse politikanët e Kosovës vazhdimisht flasin për integrimin e veriut, ata asnjëherë nuk kanë guxim ta vizitojnë atë, derisa serbët e vizitojnë sa herë të duan. “Veriu i Kosovës vazhdon të jetë “mollë” e ndaluar për “parinë” e shtetit. Këmbët e tyre nuk kanë shkelur në këtë pjesë të territorit tash e shtatëmbëdhjetë vjet. Ndonëse flasin vazhdimisht për integrimin e veriut, asnjëri prej politikanëve tanë nuk e kanë pasur guxim që të shkojnë për vizitë në Zveçan, Leposaviq apo Zubin Potok, për dallim nga politikanët serbë, të cilët vizitojnë këtë pjesë të territorit të Kosovës sa herë që duan”, ka thënë Krasniqi.  Sipas tij, e vështirë të ndodhë që Presidenti Thaçi të vizitojë veriun, edhepse mori guximin të përkulet para varrit të 14 serbëve të vrarë në Grackë të Lipjanit.   “Shkuarja e “parisë” së shtetit në veriun e “rebeluar” të Kosovës, nuk besoj që do të ndodhë edhe për një kohë të gjatë, edhe pse disa nga ata premtojnë vazhdimisht , se do ta vizitojnë shumë shpejt këtë pjesë të territorit. Prej se kanë filluar negociatat me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve dhe zgjidhjes së problemit të veriut, është absolutisht e pakuptueshme dhe e paarsyeshme se pse pushtetarët tanë nuk shkojnë për vizitë në atë pjesë dhe të zhvillojnë kontakte me banorët e atjeshëm. Kjo vlen edhe për Presidentin Hashim Thaçi, i cili merr guximin ta bëjë një idiotizëm duke u përkulur para varrit të 14 serbëve të vrarë në Grackë të Lipjanit në Kosovën e pasluftës në rrethana misterioze, kurse nuk e merr guximin që ta vizitojë Veriun e Kosovës”, thekson ai.  Sipas tij, edhe pse Veriu i Kosovës vazhdon të kontrollohet nga strukturat ilegale serbe të sigurisë, nuk ka asnjë arsye që të ekzistojë frika për të mos vizituar këtë pjesë.  “Mosguximi i tyre për të shkuar në veri është produkt i disa çudirave të mëhershme që kanë ndodhur atje, e që burimin e kanë qysh para 17 vitesh, por edhe në rastin kur Policia e shtetit me urdhër të ish kryeministrit të atëhershëm e Presidentit të tanishëm, Hashim Thaçi, dështoi që ta kthejë nën kontroll veriun e vendit. Kurse, faji për ndarjen e Veriut të Kosovës nuk mund t'i atribuohet vetëm Hashim Thaçit, edhe pse ai është fajtori kryesor për ndarjen e pjesës veriore të Mitrovicës, për krim të organizuar, keq-qeverisje dhe korrupsion, por fajin mbi të gjitha e mban e gjithë skena politike në Kosovës, të cilët për t'u pasuruar më shpejt e për ta kapur shtetin sa më shumë, e harruan fare atë pjesë të Kosovës që ka ngelur plagë në zemër për gjithë shqiptarët e Kosovës”, përfundon Krasniqi.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të premtën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat