Skandali me pasaportat, të hetohet Bajram Rexhepi dhe ish vartësit e tij

Aktuale

Skandali me pasaportat, të hetohet Bajram Rexhepi dhe ish vartësit e tij

Diana Bunjaku  Nga Diana Bunjaku Më 29 korrik 2016 Në ora: 17:19
Bajram Rexhepi

Skandali korruptiv që ka shpërthyer më herët,  në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me 1.4 milion euro, të destinuara për prodhimin e pasaportave biometrike, por që kanë “humbur” rrugën, duke mos shkuar në kompaninë austriake “Osterreichische Staatsdruckerei”, por në xhirollogari të shtetases gjermane, Natali Veliaj, veçse sa i ka dhënë efektet e para negative.  

Shteti i Kosovës do të detyrohet të paguaj 5 milionë euro dëmshpërblim shtypshkronjës austriake e cila ishte kontraktuar për prodhimin e pasaportave biometrike. Kështu ka vendosur, së fundmi, Gjykata e Arbitrazhit në Paris, pasi ka konsideruar se Kosova ka bërë shkelje ligjore, duke ia vonuar pagesat kompanisë austriake dhe e ka dënuar me 4.999 milionë euro. Borxhi duhet t’i paguhet kompanisë në një afat 14-ditor. Kompensimi i shtypshkronjës bëhet për ndërprerje të parakohshme të kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike si dhe për disa pagesa të pakryera.   Sipas njohësve të  çështjeve politike,

Kosova assesi nuk guxon të mbetet peng e aferave të së kaluarës, por duhet të reagojë ndaj çdo skandali, që tenton ta dëmtojë imazhin dhe buxhetin e shtetit.

  Kërkohet ndjekja penale e ish zyrtarëve të MPB -së

Sipas analistit politik Albrim Badallaj, ish-zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme duhet të ndiqen penalisht për gjithsecilin që ka prova.  “Kosova assesi nuk guxon të mbetet peng e aferave të së kaluarës, por duhet të reagojë ndaj çdo skandali, që tenton ta dëmtojë imazhin dhe buxhetin e shtetit”, ka thënë Badallaj.Ai ka theksuar se,  çdo tentim për ta mbuluar këtë aferë dhe nëse nuk shkohet deri ne përfundim të rastit, do të thotë që nuk ka seriozitet nga institucionet tona ligjore, apo edhe për shkak të ndikimeve të mundshme politike. Ndërsa, Kushtrim Kadriu politolog ka thënë, se patjetër duhet të ndiqen penalisht ata të cilët ishin të përfshirë në këtë skandal, por paraprakisht duhet të bëhet një hetim i mirëfilltë nga hetuesit tanë madje nëse është nevoja edhe nga ata ndërkombëtare.  “Duhet mbajtur përgjegjësi nga  ata të cilët kishin timonin dhe në rastin e Bajram Rexhepit, ai nuk duhet t’i ikë kësaj përgjegjësisë,  nëse nuk është i përfshirë në atë aferë atëherë drejtësia ka rregullat e shfajësimit. Pasojat e shumë qeverive apo të gjitha nga pas lufta janë duke i bartur për vite të tëra qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kadriu. Ndërkaq, Bajram Rexhepi, nuk ka pranuar të flasë për mediat, rreth çështjes në fjalë.

 

Smaka: Skandali me pasaporta  është pa fije dyshimi akt penal!

Ndërsa, Riza Smaka njohës i çështjeve juridike ka thënë, se qytetarët e Kosovës po e mbajnë barrën e sjelljeve arrogante të  pa përgjegjësive të qeveritarëve të Kosovës. “ Konkretisht, Qeveria asnjëherë nuk ishte e përgjegjshme në nivelin e çështjeve të besuara. Dihet se në Kosovë kanë ndodhur skandale serioze dhe askush nuk ishte  marër me këtë përgjegjësi. Bie fjala në dhomën e dyshime, pastaj rasti me pasaporta e shumë të tjerë. Lind pyetja se si mund të ndodh që të kemi në skandal të tillë ( siç është rasti me pasaporta)  dhe ish ministri Rexhepi në atë kohë nuk dha dorëheqje. Kjo gjë u bë sikur të kishte ndodhur diku nga Afrika apo nga Azia Jugore, megjithatë akti i tillë duhet ndëshkuar. Dhe tani ndjekja penale varet prej aktit të kryer, se si cilësohet sipas kodit penal. Por gjithsesi do të duhej të ngrihet denoncimi penal me kohë në mënyrë që mund të bëhet emërtimi i aktit”, ka thënë Smaka. Duke folur rreth asaj, se a duhet të ndiqet penalisht ish Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, njohësi i çështjeve juridike Smaka, ka pohuar se  pa dyshim në këtë rast, ka vend për ndjekje penale.“ Supozojë se duhet bërë ndjekje penale në këtë rast për ish ministrin Rexhepi, po them supozojë,  sepse nuk ka prova rreth kësaj ngjarje, pastaj këta njerëz janë enigmatik për opinionin. Megjithatë skandali i tillë është pa fije dyshimi akt penal. Dhe kushdo që ka dhënë ‘ kontribut’ qoftë aktivist apo pasivist në këtë kontekst është i përgjegjshëm”, ka thënë Smaka. Kujtojmw, se Kosova kishte shpallur tender për furnizim me pasaporta biometrike në vitin 2011, ndërsa ky proces ishte kthyer në një skandal jo vetëm brenda kufijve të Kosovës.  Ndwrkohw, 7 persona janë dënuar me burgim lidhur me këtë rast. E akuzuara kryesore në këtë rast, shtetasja gjermane, Natali Velija, më 18 dhjetor të vitit të kaluar u dënua me 12 vjet burgim dhe 25 mijë euro gjobë, ndërsa Fisnik Blakaj me 11 vjet burgim dhe shumë të njëjtë gjobe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat