Ngjarja në “Beer Fest”, një ditë pas flasin dëshmitarët

Aktuale

Ngjarja në “Beer Fest”, një ditë pas flasin dëshmitarët

Më: 30 korrik 2016 Në ora: 15:37
Pamje nga festivali 'Beer Fest'

Sheshi “Zahir Pajaziti” i kthehet normalitetit nga ngjarja e mbrëmshme që ndodhi në “Beer Fest”, ku nga e shtëna me armë u krijua paniku i njerëzve që ishin prezent me ç’ rast nga ikja u lënduan pesëdhjetë persona.

Nga momenti kur u gjuajt me armë, njerëzit kërkuan një vend, qoftë edhe ndonjë skutë për t’u fshehur, ku shumë nga masa e gjetën vetën nën shanket e lokaleve afariste, e nëpër kuzhinat e lokaleve që janë përreth sheshit “Zahir Pajaziti”.

Nga ikja shumë prej njerëzve iu kishin zbathur edhe këpucët, e disa të tjerëve iu kishin mbetur bluzat në shesh. Gjatë mëngjesit të sotëm, në afërsi të skenës së “Beer Fest”, pranë shkallëve ishin vendosur këpucët dhe bluzat, në rast se dikush shkon për t’i marrë ato.

Dëshmitarët për KosovaPress kanë rrëfyer ngjarjen se si ndodhi, ku treguan se edhe pse nuk e kuptuan se çfarë po ndodh ata ikën. E vetmja gjë që iu futi frikën ishte bërtitma e njerëzve të cilët thonin ‘Ikni, ikni ISIS”.

Arton Syla i tha KosovaPress, se deri sa ishte në mes të turmës, dëgjuan një kërismë të një arme e cila krijojë panikun, dhe me këtë njerëzit filluan të iknin.

Syla: Njerëzit filluan të iknin, na rrëzuan dhe shkelen mbi ne

“Qysh është më së miri ishim duke ndejt, kalonin njerëzit, shtynin pak që është normale nëpër koncert, por pastaj erdhi një panik më e rëndë, u dallua që nuk është diçka në rregull edhe ia nisi paniku, njerëzit filluan ta shtyn dhe ta rrëzojnë njëri-tjetrin...edhe unë si krejt tjerët. Unë isha në mes, erdhën njerëzit duke na shtyr dhe na rrëzuan, mbi njëri-tjetrin, diqysh me u kap me ikë. Bërtitnin, qanin, thonin ikni, ikni...patikën t’u ikë e kam hup. Njëherë erdh një krismë e madhe por nuk reagoi askush asgjë, por tek pas 30 minutave u dëgjuan disa krisma tjera dhe atëherë filluan të ikin”, tregoi Syla.

Edhe Egzon Syla ishte i pranishëm në koncertin e mbrëmshëm. Ai tregoi se nuk ka ditur se çfarë po ndodh, por thotë se incidenti erdhi pas një konflikti që patën dy-tre persona, ku pastaj njëri nga ta ka gjuajtur me armë.

Syla: Konflikt mes dy-tre personave, njëri shtëni me armë lartë

“Këtu kemi qenë të pranishëm rreth orës 10 e 50 ka qenë kulmi i kënaqësisë, duke dëgjuar muzikë dhe pastaj na shtynë dhe na rrëzuan, ku më pas njerëzit na shkelnin duke ikur, nuk e dinim çfarë po ndodh. Vetëm bërtitni “ikë, ikë se na ra ISIS”, thonin. Ne ikim, pastaj pamë policinë duke ardhur, por nuk ke diçka tragjike, nuk ke ndonjë terrorizëm. Ke vetëm dy tre persona që janë gjuajtur mes vete, pastaj nga panika njerëzit kur kanë dëgjuar krisma nuk kanë ditur çka po ndodh. Ka pas konflikt mes njerëzve, kanë qenë të pirë a nuk e di se çfarë, dhe pastaj njëri ka ngrit armën lartë dhe ka gjuajtur, dhe turma ka dëgjuar krismën dhe kanë ikur”,tha Syla.

Panika e turmës hyri edhe në lokalet afariste që gjendeshin përreth, e që punëtorët e këtyre lokaleve nuk ia kishin as idenë se çfarë po ndodhte jashtë. Ata i kanë treguar KosovaPress, se kanë mbetur të habitur nga tollovia dhe paniku që u krijua.
 
Blerim Gashi, punëtor në lokalin “Matisse”, ka treguar se me t’u futur njerëzit në lokal kanë bërtitur, se ku të shkojnë, e ku të fshehën.
 
Gashi: Njerëzit kaluan mbi banak për t’u fshehur në kuzhinë 

“Jam dal jashtë, kam mbet i habitur, veç kur kam pa njerëz duke kapërcyer shankin, kanë rrotulluar tavolinat, janë fshehur, disa kanë hyrë në kuzhinë për t’u fshehur, duke ikur nga panika, frika...Çka me bo, ka me shku po gjuajnë me kallasha, jo ISIS, kësi fjalësh. Ka pas edhe mosha të mëdha, afërsisht 35 që e kanë kapërcye shankin”, ka treguar Gashi.

Disa punëtorë të lokaleve tjera përreth të cilët nuk deshën të prononcohen Para kamerës, kanë thënë se paniku ishte i pa nevojshëm. Ata thonë se kjo ndodhi erdhi nga ngjarjet e fundit që ndodhën në Evropë, ato të sulmeve terroriste.

Ngjarjen e mbrëmshme e ka treguar edhe organizatori i “Beer Fest”, Ekrem Tahiri. Ai tha se jo zyrtarisht e ka kuptuar që dikush ka shtënë me një armë me gazë.

Tahiri: Të shtënat me armën me gazë shkaktuan panik

“Jo zyrtarisht kemi kuptuar që dikush paska shtënë me një armë me gazë, jo armë zjarri nëse mund t’i them lodër. Por ato krismat të cilat kanë shtënë kanë shkaktuar një panik bukur të madh të shumë pjesëmarrësve që kanë qenë këtu, ka qenë një numër shumë i madh, dhe pastaj pas këtij paniku është shkaktuar edhe një huti dhe njerëzit nuk e kanë  kuptuar se çfarë po ndodh, dhe si pasojë janë disa njerëz të lënduar”, tregoi Tahiri.

Në hyrje të sheshit “Zahir Pajaziti”, has në bizneset dhe kompanitë e birrave, ku shumë njerëz mund të ndalen dhe të pinë aty. Mbase dihet që në këtë organizim të “Beer Fest”, marrin pjesë edhe të rinjtë e shumë, disa prej të cilëve janë edhe nën moshën 15 vjeçar. Megjithatë, Tahiri thekson që pijet alkoolike nuk lejohen për ata që janë nën moshën 18 vjeçar.

Tahiri: Ka pas fëmijë, prindërit vendosin 

“Që ka mosha të reja është fakt i ditur sepse “Beer Fest” që disa vite është festë familjare dhe këtu vijnë njerëz edhe me fëmijë, dhe faktikisht prindërit vetë e vendosin se si, a duan që fëmijët me dalë në shesh apo jo.... Që ka pas fëmijë, ka pas fëmijë sepse ka qenë edhe programi artistik, kanë qenë njerëz që adhurojnë moshat e reja”, tha Tahiri.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka vendosur që të revokojë lejen e Beerfest për sot e nesër. Kjo për shkak të mungesës së kapacitetit për të garantuar sigurinë nga ana e organizatorëve, për shkak të numrit të madh të njerëzve dhe prania e madhe e personave nën moshën 18 vjeçare në shesh. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat