Barazia e grave në trashëgimi veç në ‘ketra’

Aktuale

Barazia e grave në trashëgimi veç në ‘ketra’

Më: 30 korrik 2016 Në ora: 18:02
Tryeza

Sipas autorit të raportit, Rron Gjinovci, edhe pse korniza ligjore në Kosovë garanton të drejta të barabarta në mes të dy gjinive rreth trashëgimisë në pronë, kjo në praktikë nuk ndodhë.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), ka prezantuar raportin “E drejta e Grave për Trashëgim në Pronë”.

Raporti flet se si në Kosovë të drejtat e barabarta të grave në përgjithësi, dhe në trashëgimi në veçanti, janë të garantuara me Kushtetutën  e Republikës së Kosovës, Ligjin për Trashëgiminë, Ligjin për Procedurën Jokontestimore dhe Ligjin për Procedurën Kontestimore.

Por, sipas autorit të këtij raporti, Rron Gjinovci, edhe pse korniza ligjore në Kosovë garanton të drejta të barabarta në mes të dy gjinive rreth trashëgimisë në pronë, kjo në praktikë nuk ndodhë.

“Megjithë ekzistencën e një kornize ligjore, tradita popullore e ndarjes së pasurisë, që bazohet në të drejtën zakonore, siç është Kanuni i Lekë Dukagjinit, apo rrallëherë edhe në të drejtën e trashëgimisë sipas Sheriatit, ka marrë terrenin kryesor në ndarjen e trashëgimisë mes trashëgimtarëve në Kosovë”, ka thënë Gjinovci.

Sipas tij, hapësira që krijon ligji, duke mundësuar marrëveshjen e palëve dhe mundësinë e heqjes dorë nga trashëgimia, bëjnë që palët të “merren vesh” mes vete sipas rregullave kanunore apo rregullave të tjera të ngjashme me traditat patriarkale në Kosovë.

Sipas të dhënave nga ky raport del se në Kosovë vetëm 16 % e pronës së regjistruar në regjistrat kadastralë është në pronësi të grave.

Po ashtu, në raport janë përfshirë edhe të dhëna krahasimore me vendet e tjera të rajonit për të drejtën e grave në trashëgimi në pronë.

Siç tregohet nga të dhënat e këtij raporti, në Kosovë edhe sot ka shumë raste kur trashëgimtarët meshkuj nuk i paraqesin trashëgimtaret femra gjatë përpilimit të dëshmisë mbi vdekjen.

Të dhënat e tjera në këtë raport tregojnë se e drejta e grave në trashëgimi në pronë nuk është aspak e mirë as te komunitetet e tjera joshumicë.

“Komunat me shumicë nga komunitetet tjera nuk qëndrojnë më mirë në regjistrimin e pronave në emër të grave. BIRN ka bërë një krahasim të komunës me shumicë serbe të Kllokotit me komunën e saj fqinje më shumicë shqiptare – Vitisë. Të dhënat e siguruara nga KALLXO.com tregojnë se vetëm 1.8 % e pronës së Kllokotit është në emër të grave”, thuhet në raport.

Të dhënat e tjera që janë përfshirë në këtë raport tregojnë edhe për ndikimin e të drejtës zakonore dhe mentalitetit patriarkal, i cili edhe sot e kësaj ditë mbretëron në shoqërinë kosovare dhe që i shtyn gratë të heqin dorë nga e drejta e tyre.

“Ushtrimi i së drejtës së trashëgimisë acaron marrëdhëniet me trashëgimtarët meshkuj të familjes së origjinës dhe në shumicën e rasteve marrëdhënia mund të këputet e tëra”, thekson raporti.

Po ashtu, të gjeturat e këtij raporti nxjerrin në pah edhe njërin prej problemeve kryesor me të cilin përballen gratë të cilat kërkojnë të drejtën e tyre në trashëgimi, e që është zvarritja e procedurave gjyqësore.

Raporti përmban edhe rekomandimet konkrete se çfarë duhet ndërmarrë institucionet përgjegjëse në përmirësimin e kornizës ligjore aktuale./kallxo.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat