Demarkacioni sot apo nesër në Kuvend?!

Aktuale

Demarkacioni sot apo nesër në Kuvend?!

Më: 4 gusht 2016 Në ora: 08:23

Ende nuk dihet nëse eventualisht kërkesa e sotme e Qeverisë për “Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, do t’i dërgohet po sot Kuvendit, për votim të menjëhershëm.

Por, ajo çfarë mund të parashikohet është se gjasat janë që menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, të mblidhet kryesia e Kuvendit për të futur në rend të ditës edhe çështjen e demarkacionit. 

Megjithatë, burime të kp thanë se disponimi i sotëm i Qeverisë është që të kërkohet një vazhdim seance për nesër, me pikë të vetme të rendit të ditës -demarkacionin me Malin e Zi. 

Shtyrja mund të kërkohet për arsye se ende nuk janë bindur të gjithë deputetët e koalicionit për votim pro kësaj pike. 

Cili do që të jetë kombinimi, sipas të gjitha gjasave, demarkacioni duhet të kalojë para ardhjes së zëvendëspresidentit amerikan në Kosovë, në mes të këtij muaji. Kjo thuhet të jetë edhe një ndër pikat kryesore të arsyetimeve që po u thuhen disa deputetëve. Joe Biden do të vizitojë Kosovën më 17 gusht. 

Nga ana tjetër, kujtojmë se deri tash rendi i ditës për seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të ketë mjaftueshëm pika për shqyrtim e votim edhe pa demarkacionin. Sot pritet të shqyrtohet raporti vjetor i Qeverisë së Kosovës për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2015, si dhe disa projektligje.

Sipas njoftimit, në këtë seancë do të votohet raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2015, pastaj do të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e projektit të modernizimit të shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, do të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për investime për projektin e rehabilitimit të linjës Hekurudhore 10, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për projektin e trafikut urban, projektligji për performancën energjetike në ndërtesa, projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës, projektligji për Kundërvajtje, si dhe projektligji për Kinematografinë.

Gjithashtu, është paraparë të shqyrtohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, raporti i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2015, si dhe raporti i komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje.

Kurse, në fund do të shqyrtohet propozimi i GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtareve në komisionet parlamentare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat