Hedhja e gazit lotsjellës i kushton me 30 ditë arrest shtëpiak Driton Çaushit

Aktuale

Hedhja e gazit lotsjellës i kushton me 30 ditë arrest shtëpiak Driton Çaushit

Më: 10 gusht 2016 Në ora: 17:03
Driton Çaushi

Prokurorja e rastit, Besa Limani, ka kërkuar nga gjykatësi që Çaushit t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak për periudhën 30 ditëshe

Deputeti i Vetëvendosjes, Driton Çaushi, do të rrijë për 30 ditët e ardhshme në arrest shtëpiak pas vendimit të një gjykatësi të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Vendimi për masën e sigurisë ndaj deputetit që hodhi dje gaz lotsjellës në një mbledhje të Komisionit Parlamentar për Punë të jashtme u mor pas kërkesës së prokurores së rastit.

Ndërkohë, avokati i tij, Besnik Jakupi, nuk është pajtuar me këtë masë të sigurisë dhe ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Deputeti i Vetëvendosjes, Driton Çaushi ka dalë sot para gjykatësit të procedurës paraprake për shkak të hedhjes së bombolës së gazit lotsjellës të shtunën në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Punë të jashtme, transmeton Kallxo.com.

Prokurorja e rastit, Besa Limani, ka kërkuar nga gjykatësi që Çaushit t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak për periudhën 30 ditëshe.

Por avokati i tij i caktuar sipas detyrës zyrtare, Besnik Jakupi, e kundërshtoi në tërësi kërkesën për arrest shtëpiak duke thëne se nuk janë përmbushur kushtet ligjore të parapara për caktimin e arrestit shtëpiak.

Ndërsa vetë Çaushi arsyetoi veprimin e tij të djeshëm në Kuvend.

“Çdo veprim i imi është në funksion të mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës dhe në përputhje me etikën dhe përgjegjësitë që kam si deputet i Republikës së Kosovës”, tha deputeti Çaushi gjatë seancës.

Çaushi e ka hedhur gazin lotsjellës në momentin kur komisioni po diskutonte për marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat