Ja masat e sigurisë për vizitën e Biden

Aktuale

Ja masat e sigurisë për vizitën e Biden

Më: 16 gusht 2016 Në ora: 16:36
Sheshi

Policia e Kosovës me rastin e realizimit të vizitës së Zëvendës Presidentit Amerikan z. Joe Biden në Republikën e Kosovës me datë 16 dhe 17 gusht 2016, ka ndërmarr masa të nevojshme duke angazhuar kapacitete të mjaftueshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, e në veçanti ndërmarrjen e masave të sigurisë që parashihen gjatë vizitave të personaliteteve të larta në vendin tonë.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, si dhe në koordinim të aktiviteteve bashkëvepruese me strukturat e sigurisë së SHBA-së, që janë përgjegjëse për sigurinë e zëvendës presidentit amerikan, ka ndërmarr masa për ngritjen e nivelit të sigurisë gjatë realizimit të kësaj vizite në Kosovë.

Përveç angazhimeve të tjera në aspektin e rendit dhe sigurisë, masa respektive janë ndërmarr edhe për menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor, ku në intervale të caktuara kohore në lokacione specifike sipas planit është paraparë edhe ndalimi i përkohshëm për qarkullim i disa rrugëve, si dhe përdorimi i rrugëve tjera alternative në mënyrë që të garantohet lëvizja apo qarkullimi pa pengesa.

Gjatë realizimit të këtij plani operacional Policia informon se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit nëpër rrugët si në vijim:

Me datën 16.08.2016, nga ora 18:00 nuk do të lejohet qasja e veturave në rrugën “Tringë Smajli” para hotelit “Swiss” në Prishtinë deri në përfundim të vizitës.

Me datën 17.08.2016 nga ora 08:00 do të ndalohet për qarkullim  rruga “Agim Ramadani” nga Sllovenia Sport deri te rreth-rrotullimi te ish Gjykata e Qarkut prapa Komunës, rruga e UÇK-së deri te udhëkryqi me rrugën “Migjeni”.

Gjithashtu edhe  sheshi “Ibrahim Rugova” deri te sheshi Skënderbeu do të jetë i bllokuar nga ora 08:00 deri në largimin e personalitetit.

Në rajonin e Ferizajt, rruga Bibaj - Dardani dhe anasjelltas do të jet e ndaluar për qarkullim nga ora 11:00 deri 16:00, të datës 17.08.2016, përderisa zyrtarë policor janë paraparë të orientojnë qarkullimin në rrugën alternative; Gjilan-Kllokot –Viti – Gerlic - Ferizaj dhe anasjelltas, një njësi policore do të vendoset në udhëkryqin e Kllokotit dhe do i orienton/udhëzon qytetaret të cilët destinacion e kanë Ferizajn.

Rrugët tjera do jenë nën menaxhim dhe mbikëqyrje të zyrtarëve policor në mënyrë që të lehtësohet zhvillimi i rrjedhshëm i komunikacionit duke përfshirë edhe lëvizjen e delegacioneve të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat