Nënpresidenti amerikan Joe Biden në Kosovë

Aktuale

Nënpresidenti amerikan Joe Biden në Kosovë

Më: 16 gusht 2016 Në ora: 20:00
Aeroporti i Prishtines

(E plotësuar) - Joe Biden, zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës tashmë është akomoduar në njërin nga hotelet më prestigjioze në Kosovë.

Nesër atë e pret një ditë e ngjeshur me vizita që do t’u bëjë krerëve më të lartë të shtetit , presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Isa Mustafa.

 Por një vizitë më e rëndësishme dhe më emocionale për Biden, bashkëshorten e tij Jill si dhe nipin dhe mbesën e tij, që në Prishtinë Biden i ka marrë me vete do të jetë në një fshat të Ferizajt, afër kampit ku janë të dislokuara forcat amerikane të KFOR-it.

 Aty njeriu i dytë i Amerikës do të marrë pjesë në emërimin e një rruge që për të ka domethënie të madhe. Rruga nacionale Gjilan-Ferizaj do të mbajë emrin e djalit të tij të ndjerë Beau Biden.

Beau Biden (46- vjeçar), i cili vdiq nga kanceri në vitin 2015.

 Beau, Gardës kombëtare iu bashkua në vitin 2003 si avokat ushtarak dhe u vendos në Irak në vitin 2008, ndërsa babai i tij po bënte fushatë për t’u bërë nënpresident në administratën e Barack Obamas.

 Gjatë ditës së nesërme Jill Biden do të vizitojë Manastirin e Gracanicës ku do të takohet me peshkopin Teodosije dhe do të shikojë ambientet e manastirit.

 Gjatë ditës Joe Biden ka qëndruar edhe në shtetin fqinj, Serbi. Atje Biden është takuar me kryeministrin Aleksandër Vuçiq dhe presidentin Tomisllav Nikoliq. Nga Beogradi Biden dha mesazhin që e kaluara të lihet prapa në mënyrë që të shkohet nga e ardhmja.

 Për dallim nga shqiptarët e Kosovës, në Serbi jo të gjithë e duan Biden dhe SHBA-në.

 Derisa Biden qëndroi në kryeqytetin serb, partia radikale e Serbisë me në krye Vojisllav Sheshel ka organizuar një protestë. Madje ata kanë veshur fanella me figurën e kandidatit për president Donald Trump si dhe kanë bërë thirrje serbëve që jetojnë në SHBA që ta votojnë Trumpin në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në tetor të këtij viti.

Image

Thaçi: Me Lumen dhe Majlindën e pritëm Bidenin

Me të zbritur nga avioni "Air Force Two", Bidenit dhe bashkëshortes së tij, Jill, i kanë uruar mirëseardhje në Kosovë, Presidenti Hashim Thaçi, dhe Zonja e Parë, Lumnije Thaçi.

Numri dy i Amerikës ka ardhur në Kosovë nga Serbia, ku qëndroi gjatë ditës së sotme për takime me krerët shtetërorë serbë. 

Të pranishëm në aeroport, për t’i uruar mirëseardhje zëvendëspresidentit amerikan, ishin edhe ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, si dhe kampionia olimpike e Kosovës, Majlinda Kelmendi.

***

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve Joe Biden së bashku me bashkëshorten Jill dhe nipin dhe mbesën e tij kanë mbërritur në Prishtinë.

Ata janë pritur nga presidenti Hashim Thaçi dhe bashkëshortja e tij Lumnija.

 Për ta pritur zëvendëspresidentin amerikan ka dalë edhe fituesja e medaljesh së artë olimpike në Rio Majlinda Kelmendi, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Greg Delawie dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku.

 Më pas Biden dhe Thaçi në intonimin e himnit amerikan dhe atij të Kosovës kanë parakaluar para Gardës së Nderit të FSK-së.

Image

***

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka mbërritur para pak çastesh në Kosovë.

Aeroplani “Air Force Two”, me numrin dy të SHBA’së dhe bashkëshorten e tij, ka zbritur rreth orës 21:30 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ai ka ardhur në Kosovë nga Serbia, ku qëndroi gjatë ditës së sotme për takime me krerët shtetërorë serbë.

Vizita e sotme është e dyta e Bidenit në Kosovë. Zëvendëspresidenti amerikan kishte vizituar vendin edhe më 2009, një vit pas shpalljes së pavarësisë.

Biden nesër do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin e vendit, Isa Mustafa. 

Garda e Nderit, rreshtohet për pritjen e Bidenit

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, vetëm sa nuk ka ateruar në në Prishtinë.

Në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Biden do të pritet me nderime nga Garda e Nderit e FSK-së, e cila tashmë është rreshtuar dhe është në pritje të Joe Bidenit.

 

Image

Aeroporti i Prishtinës gati për ta pritur Joe Biden 

Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” tashmë ka bërë gati të gjithë infrastrukturën për pritjen e zëvëndës presidentit Amerikan Joe Biden.

Në  aeroport tashmë gjindet  stafi i qeverisë dhe ai i ambasadës amerikane. Ndryshe, zëvendëspresidenti i ShBA-së, Joe Biden, do të qëndrojë sot(e martë) në Republikën e Kosovës.

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka bërë me dije se gjatë qëndrimit në Kosovë, Bideni do të takohet me presidentin Thaçi dhe me kryeministrin Mustafa. “Nënpresidenti Joe Biden dhe dr. Jill Biden do të udhëtojnë për në Prishtinë, Kosovë. Nënpresidenti do të zhvillojë takime dypalëshe me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa. Gjithashtu, nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, nënpresidenti Joe Biden dhe dr. Jill Biden do të shkojnë për vizitë afër kampit ‘Bondsteel’ për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë, Joseph R. ‘Beau’ Biden, III”, është thënë në njoftimin e kësaj ambasade. Kjo ambasadë ka njoftuar se mediet e akredituara për mbulimin e arritjes së Bidenit në Aeroportin e Prishtinës duhet të arrijnë në sektorin VIP, sot (e martë), jo më vonë se në orën 19:30, për kontrollim sigurie.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat