Të respektohet vendimi i Kushtetueses, për punëtorët e Ferizajt

Aktuale

Të respektohet vendimi i Kushtetueses, për punëtorët e Ferizajt

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 18 gusht 2016 Në ora: 17:27
Hilmi Jashari

Kërkesa e Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari

Kreu i Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, është ndalur tek moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht për rastin e e ish- punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj, të cilët qëndruan në shesh para Qeverisë dhe Kuvendit, në shenjë proteste, 643 ditë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rastin e ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj, ku nuk po ekzekutohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese?

Hilmi Jashari:  Ajo që ka ndodhur në rastin  e ish punëtorëve të Fabrikës së Tubave është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që është përfundimtar dhe i paankimueshëm. Kjo tejkalon nevojën për t`u përfshirë avokati i popullit. E vetmja gjë që do të duhej të ndodhte është mobilizimi i Qeverisë që në pajtim më vlerësimin që ka dhënë Gjykata Kushtetuese t`ju garantohet e drejta, përndryshe bëhet shkelje e rëndë e të drejtës së këtyre punëtorëve.

“Bota sot”: Sa është adresuar problemi i pensioneve nga Serbia për qytetarët e Kosovës?

Hilmi Jashari:   Fatkeqësisht nuk është adresuar aq sa duhet kjo çështje. Vitin e kaluar pasi që jam zgjedhur në postin e avoktatit të popullit, kam pyetur kolegët për këtë rast, i cili ka qenë i njohur politikisht dhe më kanë thënë që deri në atë kohë nuk është ndërmarrë ndonjë veprim eventual. Hapi i parë ka qenë që të hulumtojmë dhe të shohim si IAP. Përfundimi  ka qenë se në bazë të rregullave procedurale të Këshillit të Ministrave të Evrpës, ne mund ta dërgojmë një intervenim atje. Kemi bërë një analizë juridike të përgjigjeve që Serbia i ka dërguar në Këshillin e Ministrave e ku Kosova si palë ka munguar në kundërpërgjigje. Nuk ka pasur asnjë përgjigje meritore në pretendimet e Serbisë, kurse Serbia nga viti 2013 vazhdimisht për çdo vit minimum tre opinione i ka dërguar gjithmonë me arsyetimin për të penguar ekzekutimin e këtij vendimi. Analiza i ka diku më tepër se 20 faqe dhe janë shkoqitur të gjitha ato referenca që Serbia si palë ka tentuar t`i bëjë rreth kësaj cështjeje dhe kemi dhënë vlerësimet edhe në bazë të ligjeve në fuqi dhe standardeve, se ku është pengesa dhe çka do të duhej të bënte Serbia. Ka qenë interesant se edhe vetë Këshilli i Ministrave në atë kohë kur e kemi dërguar opinionin ka pranuar që është rasti i parë në historinë e tij kur një avokat i popullit ka dërguar opinion ndaj një shteti. Kjo ka mbetur duke u shqyrtuar dhe duke u vlerësuar nga ky këshill dhe tani mund të them se së paku në aspektin ligjor i kemi dhënë një përgjigje meritore Serbisë. Mirëpo, në anën tjetër ka qenë e keqe që nuk ka pasur reagime deri në atë kohë prej institucioneve të Kosovës. Kam dëgjuar shpesh edhe nëpër medie kur përfaqësues të qeverisë thonë që kjo çështje do të duhej të zgjidhej në Bruksel në bisedimet me Serbinë, e që realisht ka qenë propozim i parë i Serbisë në opinionin drejtuar Këshillit të Minstrave kur janë pyetur se përse nuk po ekzekutohet vendimi gjyqësor. Po bëhet fjalë për një vendim të Gjykatës së Strasburgut. Tash ndërkohë Sekretariati i Këshillit të Evropës na ka njoftuar që është edhe një rast tjetër nga Kosova duke u trajtuar në Gjykatën e Strasburgut dhe janë duke pritur derisa të bëhet i plotfuqishëm edhe ky vendim për të nxjerrë një vendim përfundimtar që do ta detyronte Serbinë të paguaj këtë  kompenzim e që është një shumë prej rreth 1 miliard e 800 milion euro, ndërsa nëse flasim për indicidë, bëhet fjalë për 60 mijë qytetarë të Kosovës që supozohet që e gëzojnë këtë të drejtë.

“Bota sot”: Sa po arrini ta adresoni problemin apo ankesat e komunitetit LGBT?

Hilmi Jashari:  Po të gjitha ligjet në fuqi kanë dispozita të fuqishme juridike që garantojnë të drejtat. Mirëpo, në anën tjetër kemi disa telashe që i referohen asaj që quhet  homofobi të cilën e ndjejnë një pjesë e shoqërisë ndaj kësaj kategorie të njerëzve dhe këtu lindin telashet edhe botkuptimeve që mund të ketë një zyrtar ose një institucionalist, nëse ka kontakt me këta persona. Në anën tjetër ne kemi pasur kontakte me organizatat që përfaqësojnë këtë katgori. Ka pasur rast që e kanë prezantuar situatën, mirëpo neve na ka interesuar që t`i shohim ato probleme në praktikë dhe të shohim se sa kanë qenë ato probleme efektive në praktikë? Cila e drejtë e tyre është shkelur, në mënyrë që raportimet tona të jenë sa më korrekte. Prej disa organizatave edhe ka pasur hezitim për të sjellë raste konkrete, për të thënë: “ky është rasti konkret”. Para disa ditësh kemi pasur një rast në Ferizaj dhe tash jemi duke përgatitur një raport të cilin së shpejti do at publikojmë lidhur me atë se cilat janë rekomandimet e avokatit të popullit në luftimin e homofobisë në Kosovës.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Premten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat