Thaçi thotë se dy zgjedhje janë para nesh: Integrimi ose izolimi!

Aktuale

Thaçi thotë se dy zgjedhje janë para nesh: Integrimi ose izolimi!

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 20:44
Hashim Thaçi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në videomesazhin e tij drejtuar qytetarëve ka folur edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke thënë se marrëveshja duhet të implementohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit të Kosovës.

“Nuk kemi pse t’i frikësohemi asaj që e lejon dhe e garanton vetë Kushtetuta jonë. E kemi larguar çdo rrezik për ndarje të Kosovës apo për krijimin e ndonjë autonomie. Diçka e tillë nuk do të ndodhë kurrë në Republikën tonë”, thotë presidenti Thaçi.

Ata që dikur ishin në barrikada dhe angazhoheshin për ndarjen e Kosovës, sot janë në institucionet e Kosovës thotë ai, në nivel qendror e komunal. Prandaj, sipas presidentit, edhe politizimi i kësaj çështjeje nuk është tjetër veçse farsë e politikes elektorale, për fitimin e ndonjë pike politike, por edhe për linçimin e oponentëve politikë.

“Mund të mos pajtohemi për politikat dhe për rezultatet e politikave tona. Por, besoj se të gjithë ata që ja duan të mirën Kosovës, fëmijëve të tyre, gjeneratave që do të vijnë, pajtohen se dhuna dhe kanosja nuk kanë vend në Kosovë. Është e papranueshme që për motive politike të sulmohen zyrtarët e shtetit të Kosovës, të sulmohen institucionet dhe ndërtesat e shtetit të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Kjo nuk do të tolerohet. Dhuna i përket të kaluarës. E ardhmja është në paqe, dialog dhe në bashkëpunim”, thotë ai.

Presidenti Thaçi, në fund të videomesazhit të tij thotë se vetëm duke i integruar komunitetet e largojmë ndikimin e Serbisë në Kosovë.

“Vetëm duke bashkëpunuar me fqinjët, integrohemi në NATO e BE”, thotë Thaçi.

Presidenti Thaçi në fund bëhet edhe më konkret për qytetarët, duke thënë se zgjedhjet para nesh janë shumë të qarta: Integrim ose izolim!

“Unë, bashkë me ju, jam i përcaktuar për integrimin e Kosovës në familjen euroatlantike. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj”, përfundon presidenti Thaçi. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat