Veseli apel publik: Eshtrat e Shotë Galicës të sillen pranë varrit të Azem Bejtës

Aktuale

Veseli apel publik: Eshtrat e Shotë Galicës të sillen pranë varrit të Azem Bejtës

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 14:10
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë, sot, në ceremoninë e rivarrimit të familjarëve të Azem Bejtës, manifestim i organizuar nën përkujdesjen e tij, në fshatin e lindjes së heroit kombëtar, Azem Bejta, në Galicë të Vushtrrisë.

Në fjalën e rastit, kryekuvendari Veseli foli për rrethanat historike të asaj kohe, të rënda dhe me shumë sakrifica.

“Po bëhen gati 100 vite kur ne ende po i bashkojmë plagët tona. Serbia i vrau ata, por jo edhe idealin e tyre i, cili u bart në breza deri në arritjen e lirisë”, tha Veseli.

Veseli vuri në pah se Azem Bejta dhe Hasan Prishtina hapën shtigjet nëpër të cilat ecën të gjitha gjeneratat e rezistencës së mëpastajshme: Shaban Polluzha dhe luftëtarët e tij, Adem Demaçi dhe lëvizja ilegale, Lëvizjet studentore, aktivistët e rezistencës paqësore dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kryeparlamentari bëri apel publik që së shpejti duhet të bëhet e mundur që pranë varrit të Azem Bejtës të sillen edhe eshtrat e Shotë Galicës që aktualisht ndodhen në Fushë Krujë të Shqipërisë.

Në ceremoninë e rivarrimit të familjarëve të heroit Azem Bejta morën pjesë edhe përfaqësues të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, deputetë të Kuvendit të Kosovës, qeveritarë, si dhe përfaqësues të komunave: Vushtrri dhe Skënderaj.

Në fund të ceremonisë, drejtori i mjekësisë ligjore ia dorëzoi kryeparlamentarit Veseli dy artefakte që janë gjetur gjatë rivarrimit të eshtrave të familjarëve të Azem Bejtës.

Veseli tha se dy artefaktet e gjetura, çelësi dhe brisku, do të pastrohen nga institute të specializuara ndërsa pastaj do të qëndrojnë në kullën e Azem Bejtës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat