Osmani: S’ka liberalizim pa luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Aktuale

Osmani: S’ka liberalizim pa luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 16:52
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani

Anëtarët e Komisionit për Integrime Europiane thonë se Demarkacioni nuk është kushti i vetëm për liberalizimin e vizave. Sipas tyre, Kosova duhet ta përmbushë edhe një kusht tjetër, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë që BE të vendosë për heqjen e vizave.

Anëtarët e Komisionit për Integrime Europiane vlerësojnë se Demarkacioni i kufirit Kosovë-Mali i Zi, i cili do të shkojë për ta kërkuar votën e deputetëve muajin e ardhshëm, nuk do t’ia japë Kosovën liberalizimin e vizave.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në një prononcim për Radio Dukagjinin tha se edhe nëse miratohet Demarkacioni, nuk mund të ecet përpara pa u plotësuar kushti tjetër, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Insistimi i Qeverisë, sipas saj, vetëm në marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, po e lë anash përmbushjen e obligimit tjetër.

Edhe nëse Kosova plotëson dy kushtet e vëna pas propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave, Osmani theksoi se gjithçka do varet nga Këshilli i BE’së, ku të gjithë ministrat e shteteve anëtare duhet të votojnë për liberalizimin.

Në vijë të njëjtë është edhe deputetja e AAK’së, Time Kadrijaj.

Ajo tha se Kosovës i është bërë e qartë që pa e rritur efikasitetin në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, qytetarët nuk do të mund të lëvizin pa viza në vendet e zonës Shengen.

Ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit, e lidhur mes Kosovës dhe Malit të Zi, vitin e shkuar dhe forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë dy kushtet që Bashkimi Europian i ka vënë Kosovës për liberalizimin e vizave.

Brukseli zyrtar ka bërë të qartë që qytetarët e Kosovës nuk do të mund të lëvizin lirshëm në vendet e Zonës Shengen, nëse nuk përmbushen të dy obligimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat