Abdullahu: Ambasada Amerikane dhe Qeveria i ftuan së bashku mysafirët në Bondsteel

Aktuale

Abdullahu: Ambasada Amerikane dhe Qeveria i ftuan së bashku mysafirët në Bondsteel

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 19:21
Joe Biden

Ambasada Amerikane dhe Qeveria e Kosovës në bashkëpunim të plotë e kanë përgatitur listën e mysafirëve për ngjarjen e zhvilluar në Bondstill, ku nuk ishte ftuar deputetët e LDK-së, Vjosa Osmani dhe Shpejtim Bulliqi dhe shumica dërmuese e deputetëve të opozitës.

Këshilltari për medie në kryeministri, Faton Abdullahu, për këtë çështje ka thënë se ftesat për ngjarjen e madhe për nder të Beau Biden, ku ishte i pranishëm edhe zëvendës presidenti Joe Biden, janë përgatitur nga Qeveria dhe Ambasada dhe se në të janë ftuar miqtë e SHBA-ve dhe të Kosovës.

Duke mos pranuar që të komentojë ankesat individuale të deputetes Osmani, Abdullahu tha se çdo aspekt i organizimit, përfshirë edhe ftesat janë bërë në bashkëpunim të afërt.

“Qeveria ka bashkëpunim të shkëlqyer dhe raporte të afërta pune me Ambasadën Amerikanë në çdo proces, përfshirë edhe në organizmin e evenimenteve. Lista e mysafirëve reprezentativë në këtë ngjarje është bërë në bashkëpunim të plotë me Ambasadën Amerikane. Aktiviteti i organizuar në Bondsteel ishte një eveniment i rëndësisë së veçantë për Kosovës dhe të gjithë miqtë e panumërt të SHBA-ve në Kosovë, ku ne shprehëm nderimet dhe respektin më thellë për Beau Biden, i cili ka dhënë kontribut shumë të çmuar në Kosovë. Njëherësh, përmes kësaj ngjarje, Republika e Kosovës dhe populli i saj, shprehën mirënjohjen e përjetshme për SHBA-të dhe të gjithë qytetarët amerikanë për kontributin e dhënë për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kosova ndihet krenare që në këtë eveniment madhështor, ku morën pjesë përfaqësues të të gjitha poreve të shoqërisë kosovare, ishte i pranishëm edhe Zëvendës Presidenti Biden dhe familja e tij e nderuar”, tha Abdullahu.

Bota sot më herët kishte raportuar se Osmani, Bulliqi dhe të gjithë deputetët e opozitës që kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend dhe kanë marrë pjesë në protestat e më hershme në Prishtinë, nuk janë ftuar nga Ambasada Amerikanë në këtë event.

Deputetja Osmani ka reaguar duke thënë se ishte Qeveria që nuk i kishte dërguar ftesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat