PDK e Prishtinës kërkon hetim për punësimet në Prishtinë

Aktuale

PDK e Prishtinës kërkon hetim për punësimet në Prishtinë

Më: 21 gusht 2016 Në ora: 12:06
Foto nga konferenca e PDK-së

(E plotësuar) - Dega e Partisë Demokratike të Kosove në Prishtinë ka publikuar një listë të të punësuarëve në kryeqytet, akuzuar qeverisjen aktuale se ka punësuar rreth 276 aktivistë të Levizjes Vetëvendosje.

PDK në Prishtinë ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të nis hetimet se si janë punësuar, siç i quajnë ata militantët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe si është shpenzuar buxheti i Komunës së Prishtinës.

Këto punësime PDK e Prishtinës, po i bazon në të gjeturat e auditorit gjeneral të vitit 2016, duke harxhuar diku 463 mijë euro.

Sekretari i PDK në Prishtinë, Bujar Cakolli, gjatë një konferencë për media ka treguar se duke iu referuar raportit përfundimtar të buxhetit të vitit 2015, të hartuar nga Komuna e Prishtinës, shihet se kodi i shpenzime të kontraktuara kanë qenë planifikuar 180 mijë euro, kurse, janë shpenzuar 1 milion e 20 mijë euro.

Cakolli: Me qindra punësime janë bërë në Komunën e Prishtinës

“Jemi të shqetësuar me paaftësinë menaxhuese, keqpërdorimet dhe dështimet e kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti dhe kësaj qeverisje komunale...Me qindra punësime të militantëve partiak janë bërë në Komunën e Prishtinës, dhe ky kontingjent i punësimeve në shumë raste shfrytëzohet për operacionet anarkiste të Lëvizjes Vetëvendosje, për shkatërrimin dhe demolimin e kryeqytetit tonë”, tha Cakolli.

Cakolli tregoi edhe për dyshimet se këto mjete janë shpenzuar edhe për të financuar organizimet e VV-së, të cilat qëllim kanë demolimin dhe shkatërrimin e komunës.

Cakolli: VV e interesuar të shkatërroj komunën tonë

“Nëse i referohemi raportit të auditorit gjeneral të viti 2016 për Komunën e Prishtinës, ku rezulton që janë punësuar diku rreth 276 militantë të VV-së, me kontrata të jashtëligjshme dhe për këto kontrata komuna ka harxhuar diku 463 mijë euro. Po ashtu, nëse i referohemi raportit përfundimtar të buxhetit të vitit 2015 të hartuar nga Komuna e Prishtinës, mund të shihet se te kodi i shpenzimeve të kontraktuara, kanë qenë të planifikuar 180 mijë euro, kurse, në fund janë shpenzuar 1 milion e 20 mijë euro. Duke i analizuar këto shifra të raportit të auditorit gjeneral, faktet që ne posedojmë si në raportin financiar të Prishtinës, ne dyshojmë se numri i të punësuarve është më i madh, dhe po ashtu dyshojmë se këto mjete janë shpenzuar edhe për të financuar operacionet anarkiste të Lëvizjes Vetëvendosje për të shkatërruar dhe demoluar komunën tonë”, tha ai.

Ai ka kërkuar edhe nga kryetari Ahmeti që të tregojë se ku kanë shkuar këto para, si dhe numrin e saktë të punësuarve.

Në listën të cilën e kanë publikuar dega e PDK-së në Prishtinë, del që një numër më i madh i të punësuarve në Komunën e Prishtinës, të mos jenë prishtinas.

PDK e Prishtinës ka kërkuar edhe nga Prokuroria e Shtetit që të nis hetimet për këto punësime dhe për menaxhimin e parasë në Komunën e Prishtinës.

Cakolli: Prokuroria të zhvilloj hetime për të punësuarit

“Kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit që duke marrë për bazë raportin e auditorit gjeneral, raportin financiar të Komunës së Prishtinës për vitin 2015, faktet që ne i posedojmë dhe listat që i kemi, të zhvilloj hetime se si janë punësuar këta militantë të VV, gjatë mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë listë mund të shihen zyrtarë të lartë të VV që kanë marrë paga një herë, dy herë e tri herë brenda një date të vetme. Kemi rastin Alban Krasniqi, Drilon Pireva e shumë tjerë.”, tha Cakolli.

Ai shtuan se në ditët në vazhdim do të paraqesin fakte tronditëse për mënyrën se si zhvillohet krimi i organizuar në Komunën e Prishtinës, se si menaxhohet dhe si keqpërdoret paraja publike në Komunën e Prishtinës.

Veç kësaj, Cakolli përmendi edhe shqetësimin e tyre rreth tendencës së kryetarit të komunës së Prishtinës për të marrë në mbrojtje skandalin me organizatën TIKA. Skandaloze e quajti tendencën dhe mos koordinimin e kryetrarit me drejtorët e tij. 

PDK kërkon hetim të punësimeve në komunën e Prishtinës

Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Prishtinë, ka kërkuar nga Prokuroria që të marrë raportin e Auditorit të Përgjithshëm dhe Raportin e Buxhetit 2015 të Prishtinës dhe të fillojë hetimet për punësime të jashtëligjshme me kontratë mbi vepër.

Në konferencë për medie të kësaj dege, sekretari Bujar Cakolli, ka thënë se Komuna e Prishtinës është mbushur me militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i shfrytëzuar ata për të shkatërruar kryeqytetin.

“Me qindra militantë janë punësuar dhe ata shfrytëzohen për të zhvilluar aksione anarkiste të kësaj lëvizje për të shkatërruar kryeqytetin”, ka thënë Cakolli, teksa ka shtuar se numri i të punësuarve me kontratë mbi vepër është 276 nga rreth 700 të punësuarit e Komunës.

Këtë ai e ka bazuar në raportin për vitin 2015 të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës dhe në raportin e Buxhetit të Komunës për vitin 2015, kur të ky i fundit, sipas Cakollit, ka pasur tejkalim të mjeteve të parashikuara.

“Në raportin e Auditorit Gjeneral është gjetur që Komuna e Prishtinës ka 276 militantë të jashtëligjshme me kontratë mbi vepër. Kurse në raportin e Buxheti të Komunës për vitin 2015, te shpenzimet e kontraktuara kanë qenë të planifikuara 180 mijë euro, kurse janë shpenzuar 1 milion e 20 mijë euro”, ka shtuar Cakolli, duke thënë se shpenzimi i këtyre mjeteve dyshohet se është bërë që të financohen “aksionet anarkiste të Vetëvendosjes”.

PDK ka kërkuar nga kryetari i Prishtinës të dijë se ku kanë shkuar ato mjete dhe sa është numri i të punësuarve në këtë formë edhe këtë vit, ngaqë sipas tyre ky veprim po vazhdon.

Në fund ata kanë thënë se Prishtina duhet të qeveriset nga prishtinasit, e sipas PDK-së, kryeqyteti më së paku qeveriset nga qytetarët e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat